Çiklisti nga Kina shkon në Monte Everest me biçikletë [Foto]
Ngjitja e Everestit është një sfidë e stërlodhshme edhe për alpinistët më të përgatitur të botës, që e konsiderojnë si “Mekën” e kalendareve të tyre të alpinizmit.
Por, të garosh mbi pedalet e një biçiklete në malin më të lartë të botës, me 8.848 metra mbi nivelin e detit, është diçka në kufijtë e të paarritshmes.
Në fakt, JJ Zhou nga Kina sapo është bërë personi i parë që e bën realitet këtë sfidë thuajse të pamundur.
Pak minuta para mesnatës së 8 gushtit, Zhuangchen “JJ” Zhou, një çiklist dhe fotograf nga Kina që jeton në Hong Kong, ndërmori nismën më të guximshme dhe arriti kështu vijën e “finish”-it më të paimagjinueshëm të jetës së tij. Kjo shënoi kompletimin e një distance prej 8.8 km, përgjatë 177 etapave, në kampin bazë të Everestit, në Tibet, transmeton top channel.
“Everesting” është një sfidë çiklizmi, gjatë së cilës sfiduesi zgjedh një kodër apo mal dhe bën ngjitje-zbritje derisa të arrihet distanca prej 8.848 metrash, ekuivalente me lartësinë e malit Everest.
Që prej konceptimit të idesë për “everesting” në vitin 2013, ka pasur mbi 2.200 sfida të ndërmarra nga çiklistë nga 73 vende të botës. Por, askush nuk kishte arritur ta sfidonte veten në “mëmën” e të gjitha maleve, deri vitin e kaluar.
Shannon Bufton, pronar dhe operator i “Serk Cycling”, një firmë që ndërmerr udhëtime çiklistike në Himalaje, bëri përpjekjen e parë në tetor. Ekipi i tij përfshinte edhe mikun Andy Van Bergen, i cili shpiku konceptin e “everesting”. Por, erërat e fuqishme, i ftohti ekstrem dhe sëmundjet e lartësisë, i detyruan ata të ndaleshin pas 20 orësh.