Çka u diskutua në takimin mes Kurtit dhe Borrell?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke qëndruar në Francë për të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, por para fillimit të forumit, është takuar me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti ka takuar edhe Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Në takimin e tyre është diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë si dhe zhvillimin e dialogut Kosovë-Serbi.
Po ashtu, sic thuhet në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit është diskutuar edhe zbatimi i vendimit për targat ilegale në vend.
“Dinamizimi i dialogut Kosovë-Serbi, zbatimi i vendimit për targat ilegale, zhvillimet e fundit në Kosovë, dhe çështje tjera aktuale ishin temat qendrore të takimit, ku morën pjesë edhe Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti dhe këshilltarët e Kryeministrit, Jeton Zulfaj dhe Fisnik Korenica”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, Kurti gjatë takimit ka theksuar se elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër.
Gjithashtu, ai ka ripërsëritur se propozimi franko-gjerman, që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.
Ndërkaq, për zhvillimet e fundit në veri të vendit, Kurti ka ritheksuar se Qeveria e Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend.

