Çmimet e produkteve do të rriten pas shtrenjtimit të energjisë elektrike

105

Rritja e çmimit të energjisë elektrike do të sjellë rritje të çmimeve të produkteve, deklaroi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi. Ai tha se gjatë festave të fundvitit autoritetet nuk planifikojnë të ndërmarrin masa, pasi sipas analizave të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, tregtarët nuk kanë rritur çmimet.

“Kur ka pasur sjellje devijante nga ana e tregtarëve, kemi ndërmarrë masa që kanë qenë zgjidhje afatshkurtra. Deri më tani, edhe para dy ditësh, e sot kam biseduar me drejtorin e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, nuk kemi informacione se ka pasur diçka të tillë, as sjellje devijante, as rritje të çmimeve, veçanërisht për ato produkte që përdoren për festat”, tha Besar Durmishi, ministër i Ekonomisë.

Kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Lira vlerëson se autoritetet nuk duhet të ndërmarrin masa për uljen e çmimeve, pasi pas përfundimit të tyre pason rritje e inflacionit.

“Po të shohim inflacionin e vitit të kaluar, ai ishte 4%. Ndërsa nëse e shohim inflacionin për tetor – nëntor, nga muaj në muaj tashmë nuk kemi inflacion, por kemi suflacion prej 0,2%. Është arritur në përfundimin se nëse dalim me disa masa, ato masa pas përfundimit ushtrojnë presion për rritjen e çmimeve. Në interesin tonë është të kemi sa më pak inflacion, sepse rritja e pagave duhet të jetë reale”, tha Bllagoja Ralovski – Kryetar i Konfederatës së Sindikatave të Lira.

Një ditë më parë Komisioni Rregullator i Energjetikës vendosi rritjen e çmimit të energjisë elektrike nga 1 janari. Varësisht bllokut tarifor, rritja do të jetë nga 57 denarë deri në 900 denarë. /Alsat.mk

Comments