Çollaku: E rrezikshme ideja e Daçiqit për shkëmbim territoresh

227

Zyrtarët në Serbi duhet të përmbahen nga deklaratat e rrezikshme politike për ndarjen e Kosovës, ka deklaruar Bekim Çollaku, shef i stafit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Deklarata e tij dhënë Radios Evropa e Lirë ka pasuar një intervistë të ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq i cili ka thënë për mediat serbe se mund të vendoset një lloj “Demarkacioni për serbët dhe shqiptarët”.

“Demarkacion ose sido që të quhet. Çka është serbe, çka është shqiptare”, ka thënë Daçiq.

“Sigurisht, ne përshëndesim çdo diskutim të brendshëm publik në Serbi, që synon të ndihmojë vendimmarrësit dhe njerëzit e Serbisë të kuptojnë dhe pranojnë realitetin e një Kosove të pavarur”, ka thënë Çollaku.

“Duke pasur parasysh faktin se shumica e qytetarëve të Serbisë e kanë kuptuar realitetin e një Kosove të pavarur shumë vite më parë, megjithatë, ne mbetemi optimistë në mënyrë të kujdesshme në lidhje me rezultatet konkrete nga udhëheqësia e Serbisë”, ka thënë ai.

Sidoqoftë, Çollaku ka tërhequr vërejtjen se “ky debat i brendshëm në Serbi nuk duhet të shërbejë si një platformë për të promovuar të gjitha llojet e ideve apo propozimeve”.

“Të paktën, presim nga zyrtarët e Serbisë që të përmbahen dhe të mos dalin me deklarata publike të cilat përfshijnë propozime të rrezikshme siç janë ndarja, shkëmbimi i territoreve apo ndryshimi i kufijve”, ka theksuar ai.

“Këto ide, pa marrë parasysh se nga vijnë, ato thjesht janë të vjetruara dhe nuk kontribuojnë në stabilitetin në rajon, duke ditur se çfarë pasojash do të kishin këto propozime si rezultat i të ashtuquajturit ‘efekt domino’ për të gjithë rajonin”, thekson Çollaku.

Megjithatë, ka vijuar ai, Prishtina zyrtare konsideron se ka ardhur koha për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Udhëheqësia në të dy vendet është plotësisht e vetëdijshme se nuk do të ketë ndonjë anëtarësim në BE apo NATO për Kosovën dhe Serbinë, pa një normalizim të plotë paraprak të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Pa marrë parasysh se sa i vështirë ky proces mund të jetë, udhëheqësia në Serbi dhe në Kosovë duhet të gjejë mënyrën e duhur për të arritur këtë qëllim”, është shprehur Çollaku.

“Ata u detyrohen njerëzve të tyre para së gjithash dhe gjeneratave të ardhshme. Ne në Kosovë mbetemi të përkushtuar dhe të gatshëm për të arritur këtë qëllim dhe për të hapur kapitullin e ri të bashkëpunimit, dhe presim gjithashtu të njëjtën gatishmëri dhe përkushtim nga udhëheqësia në Serbi”, ka thënë ai.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, edhe në të kaluarën ka promovuar idetë për ndarjen e Kosovës. Së fundit, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka kërkuar një debat të brendshëm në Serbi në lidhje me çështjen e Kosovës, të cilën Serbia ende e sheh si të pazgjidhur, përkundër faktit që Kosovën e kanë njohur tashmë 114 shtete.

Comments