Cuculi: Kukësi në Europë të marrë shembull nga Shkëndija e Tetovës

447

Kukësi do të ketë përballë në turin e parë të Ligës së Europës një rival shumë të vështirë si Debreceni, një skuadër e cila ishte ndër më të fortat e mundshme për verilindorët në shortin e hedhur nga UEFA.

Por Ardian Cuculi, mbrojtësi me eksperiencën i Kukësit, mendon se askush nuk duhet të trembet nga emri i kundërshtarit dhe të mendojë si të përfaqësojë sa më denjësisht futbollin shqiptar në Europë.

“Ndeshjet europiane kanë një specifikë të ndryshme nga ato të aktiviteteve vendase. Ne do të bëjmë më të mirën dhe shpresojmë që të përfaqësojmë sa më denjësisht në arenën ndërkombëtare Kukësin dhe kampionatin shqiptar”, theksoi futbollisti për “SuperSport”.

Shumëkush i druhet hungarezëve të Debrecen, por për Cuculin, shembulli që duhet ndjekur nga Kukësi është ai i Shkëndijës, e cila luajti dhe arriti rezultate ndaj emrave më të mëdhenj.

“Kam pasur eksperienca të ndryshme gjatë tre viteve me Shkëndijën dhe nuk kemi qenë favoritë në çdo vazo, por kemi shkuar deri në play-off. Duhet ta marrim seriozisht pavarësisht emrit, futbolli tregohet në fushë dhe jo me fjalë. Të gjithë përvojën e arsenalin që kam unë do të mundohem ta jap në fushë me Kukësin”, deklaroi ai.

Comments