Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili ndodhet në Washington i ftuar për Lutjet e Mëngjesit, ka shprehur drojën nga “ndonjë akt i pamatur” i Prishtinës, që do të mund të shkaktonte destabilitet rajonal, raportojnë mediet serbe të ketë deklaruar ai, transmeton Koha.net.
Sipas B92, ai ka shprehur drojën se mund të ndodhë që të sulmohen serbët në veri të Kosovës dhe këtë shqetësim thuhet t’ia ketë përcjellë administratës amerikane, duke e informuar për situatën në Kosovë.
“E kemi informuar administratën amerikane për gjithë këtë situatë. Ajo që tani dëshirojmë është të vendosim kontakte sa më parë me administratën e re amerikane dhe të bisedojmë seriozisht mbi të ardhmen e tërë rajonit”, citohet të ketë thënë Daçiq.
Daçiq, i cili ka marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit, mikpritës i të cilave ka qenë presidenti Donald Trump, i ka thënë RTS-së se ka biseduar me kongresistë dhe senatorë mbi marrëdhëniet midis Serbisë e SHBA-së, por edhe për situatën në Kosovë.
Daçiq ka qenë njëri nga njerëzit më të afërt të Sllobodan Millosheviqit, kur shpifjet dhe trillimet demonizuese ndaj shqiptarëve, si hyrje për të kryer masakra mbi ta, ishin kthyer në praktikë dominuese të politikës dhe të veprimeve serbe.