Dalin rezultat e para preliminare për zgjedhjet në Drenas: Prin Lladrovci, PDK nis festimet (Live/Video)



Në Komunën e Drenasit sot zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës, ku në balotazh do të garojnë kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci dhe kandidati i Nismës për Kosovën, Isa Xhemajlaj.
Ashtu si edhe në raundin e parë të zgjedhjeve, ekipi i Telegrafit sot gjatë gjithë ditës do të jetë në Komunën e Drenasit për të përcjell nga afër procesin e votimit.
Këtu do t’i gjeni të gjitha informatat, minutë pas minute në kohë reale, për tërë procesin zgjedhor deri në mbylljen e vendvotimeve dhe shpalljen e rezultateve jozyrtare nga shtabet zgjedhore të kandidatëve për kryetar të Komunës dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Xhemajlaj: Është lënduar procesi zgjedhor (VIDEO)
Kandidati i Nismës për Kosovën, Isa Xhemajljaj, në një deklaratë për KosovaPress që ka dhënë në orët e mbrëmjes, ka thënë se zgjedhjet kanë kaluar mirë, megjithëse shton se ka pasur ndërhyrje në votime të dyfishta.
Xhemajlaj tha se nuk ka rezultate se kush është fituesi, ndërsa shtoi se do t’i pranojë ato.
Ai tha se ka pasur presion tek votuesit nga partia rivale dhe se me këto është lënduar procesi zgjedhor.
50 minuta më parë
Në Drenas votuan 45.45 për qind e zgjedhësve, rezultatet e para pas orës 22:00
Në Drenas kanë votuar 23,891 votues ose përkthyer në përqindje 45.45 për qind, raporton Demokracia në Veprim.
DnV thotë se të gjitha vendvotimit janë mbyllur me kohë dhe ka se filluar procesi i numërimit të votave.
Dalja në zgjedhje, krahasuar me raundin e parë, është rritur për 4.9 për qind.
Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se rezultatet e para nga rrethi i dytë i votimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas do të komunikohen pas orës 22:00.
EXIT POLL-i i IHAS-së: Ka fituar Lladrovci (Foto)
Teksa po mbyllen vendvotimet në Drenas, Arian Janova nga Instituti për Hulumtime dhe Analiza Sociale prezanton rezultatet e Exit Pollit që kanë bërë.
Sipas tij, ata kanë bërë një hulumtim në formë të bashkëbisedimit me qytetarë, me tremijë respondentë në 20 qendrat kryesore të Drenasit, transmeton Telegrafi.
Sipas tij, nga rezultatet del se ka fituar Ramiz Lladrovci me 59.7 për qind të votave, ndërkaq Isa Xhemajlaj i Nismës merr 40.3 për qind të votave.
Rezultatet preliminare mund t’i ndiqni: KËTU. /Telegrafi/
1 orë më parë
Krasniqi: Ndalni votimet e dyfishta; PDK: Krasniqit duhet t‘i vijë turp për fyerjen e qytetarëve!
Kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMËS për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka kërkuar nga KQZ-ja dhe gjithë trupat e saj në veprim që të vihen në mbrojtje te vullnetit te qytetarëve te Drenasit.
“Edhe gjatë ditëve te fushatës dhe ditës së sotme kishte parregullsi të ndryshme, por parregullsitë janë shtuar në orët e mbrëmjes. Me te madhe tani janë duke ndodhur votimet e dyfishta. Vëzhguesit tanë janë duke u kërcënuar. Këto janë dëshmi se në veprim janë futur veprime të pa ligjshme, joshje te të gjitha natyrave, mbase edhe paraja. Andaj kërkojmë edhe nga Prokuroria e Policia, kjo e fundit është e implikuar edhe në raste të veprimeve të pa ligjshme në ditën e heshtjes. Të gjithë institucionet e përmendura, duhet të vihen në mbrojtje të votës së lirë! Për parregullsitë e tjera opinionin do ta njoftojmë më kohë”, ka thënë Krasniqi përmes një komunikate drejtuar mediave.
Ndaj akuzave të Krasniqit, ka reaguar zëdhënësi i PDK-së në Drenas, Betim Berisha.
“Jakup Krasniqi, i cili ka përfituar dhe fituar më së shumti në kurriz të mbështetjes së votuesve të Drenasit sonte, i quajti qytetarët e Drenasit hajna dhe manipulues. Por, Drenasi me votën e lirë demokratike sot do t’ju thotë jo pikërisht hajnave që e kanë vjedhur shtetin e tyre për shtëpi shumëkatëshe e pasuri përrallore”, ka thënë Berisha.
Ai ka shtuar se “Jakup Krasniqit duhet t’i vijë turp për akuzat dhe përpjekjet e ulëta për të njollosur procesin fer dhe demokratik që treguan në këto zgjedhje qytetarët e Drenasit”. /Telegrafi/