Dallaveret në BKS: Mazreku, Berisha dhe dy të tjerë përballen me zgjatje të paraburgimit

84

Ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku dhe ish-drejtori i Financave në BKS, Valon Berisha dhe dy të dyshuar të tjerë, që u arrestuan para disa javësh, rrezikojnë të mbesin në paraburgim, pasi Prokuroria Themelore në Prizren ka dorëzuar tashmë kërkesën për masën e sigurisë.

Klan Kosova ka siguruar dosjen e Prokurorisë, ku ndaj Mazrekut, Berishës, Floren Sylejmanit dhe Yll Çollakut, është kërkuar vazhdimi i masës së sigurisë edhe për dy muaj.

Ndërsa ndaj 35 të dyshuarve të tjerë, është bërë kërkesa për vazhdim të masave paraqitja në stacion policor dhe ndalimi për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, po ashtu në kohëzgjatje prej dy muajsh, transmeton Klankosova.tv

Prokurori i Shtetit ka vlerësuar se bazuar nga provat e siguruara deri në këtë fazë të procedurës së hetimit, janë plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e paraburgimit, pasi konsideron se arsyet konsistojnë në mundësinë reale të arratisjes, për shkak se të njëjtit dyshohen për vepra të rënda penale.

Kësisoj, thuhet se duke u bazuar në rrethanat e këtyre rasteve penale, paraburgimi është mëse i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, prandaj nuk është kërkuar ndonjë masë alternative.

Për kërkesën e Prokurorisë, gjyqtari i procedurës paraprake do të vendos brenda afatit ligjor./Klankosova.tv

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

Comments