DAP-i në aksion: Do t’i inspektojë organizatat joqeveritare (VIDEO)

196
fresco

midle

Drejtoria e të Ardhurave Publike do t’i inspektojë organizatat joqeveritare. Do të kontrollohen raportet financiare të 20 organizatave joqeveritare. Drejtoresha ekzekutive e Fondacionit “Shoqëri e hapur” Fani Karanfillova-Panovska thotë se organizata punon në mënyrë transparente dhe nuk ka çfarë të fshehë, ndërsa institucionet kompetente kanë qasje në të gjitha transaksionet. Sipas saj, ky aksion bëhet me qëllim që në vend të heshtet lëvizja qytetare.

 “Fondacioni punon në pajtim me rregullat e këtij vendi. Kontabiliteti ynë mban evidencë të plotë për të gjitha dokumentet që janë transparente dhe llogaridhënëse. Ne absolutisht jemi të përgatitur t’i presim ata të Drejtorisë së të Hyrave Publike”, u shpreh Fani Karanfillova-Panovska, Drejtoreshë Ekzekutive e Fondacionit “Shoqëri e hapur”.

Përveç Fondacionit, nën thjerrëz do të vihet edhe puna e 20 organizatave civile. Bojan Mariçiq nga Qendra Maqedonase për Arsimimin Evropian thotë se Drejtoria e të Hyrave Publike ua kanë kërkuar dokumentet për të gjitha të hyrat dhe të dalat gjatë vitit 2016.

 “Koha kur bëhet ky kontroll financiar me një urdhër të përgjithshëm, pa kurrfarë sqarimesh të hollësishme, duke u realizuar në mënyrë selektive vetëm për një grup të caktuar organizatash, na jep të drejtë që këtë aksion ta kuptojmë si trysni politike në vete”, tha Bojan Mariçiq, nga QMAE.

 Për Aleksandar Pandovin nga Lëvizja Qytetare për Mbrojtjen e Maqedonisë, kontrolli financiar ndaj organizatave që financohen nga jashtë është plotësisht legjitim dhe shton se publiku ka të drejtë të di prej nga vijnë këto para dhe për çarë qëllimesh shpenzohen.

“Mendoj se këto organizata duhet të jenë nën kontroll më të fortë sepse marrin para nga një organizatë e huaj dhe për arsye se me këto para financohen jo vetëm organizata por edhe individë që kanë ndikim serioz në opinionin publik”, tha Aleksandar Pandov, nga LQMM.

 Lideri i VMRO-DPMNE-së, të shtunën në fjalimin e tij para objektit të KSHZ-së tha se qeveria e ardhshme do të sjellë ligj për organizatat joqeveritare për t’u bërë siç tha  “d e s o r o s i z i m i ”.  Nga Drejtoria e të Hyrave Publike informuan se ky aksion bëhet sipas rregullave ligjore për t’i kontrolluar të gjithë obliguesit tatimorë pavarësisht zhvillimeve politike në vend./Tv21

Comments