David Schwendiman – kryeprokuror i Gjykatës së Posaçme për Kosovën
Prokurori amerikan, David Schwendiman, është emëruar në postin e kryeprokurorit të Gjykatës së Posaçme me seli në Hagë, që do të trajtojë pretendimet për krime lufte në Kosovë.
Në dhjetor të vitit 2014, ai ishte emëruar në postin e kryeprokurorit të Grupit Hetues të Bashkimit Evropian, për hetimin e pretendimeve të raportit të Këshillit të Evropës për krime lufte në Kosovë.
Në një njoftim të së hënës, thuhet se “Prokuroria e Posaçme do të vazhdojë me hetimet e filluara nga ekipi i hetuesve të specializuar dhe do të vazhdojë me përgatitjet për fazën e ardhshme të punës”.
“Pres që të takohem me njerëz në rajon dhe të takohem edhe me mediet kur të jetë e mundur në javët dhe muajt e ardhshëm”, citohet të ketë ai.
Në fillim të muajit gusht të vitit 2015 , parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme.
Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.
Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.
Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën dhe ajo do të veprojë në përputhje me ligjet e Kosovës. Prokurorët dhe gjykatësit do të jenë të gjithë ndërkombëtarë.