Deane në Kosovë, takohet me shefen e EULEX-it dhe zëvendëskryeministrin


Komandanti i operacioneve civile të BE-së Kenneth Deane është duke qëndruar në Kosovë.
Sot ai është takuar me shefen e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou dhe zëvendëskryeministrin e Kosovës Hajredin Kuçi ku është diskutuar lidhur me mandatin e tanishëm të EULEX-it dhe për angazhimet e vazhdueshme për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
Gjatë këtij takimi, Deane e potencoi rëndësinë e bashkëpunimit të EULEX-it me institucionet e Kosovës, duke e theksuar qëllimin e përbashkët për zhvillimin dhe zbatimin e sundimit të ligjit.
“Jam i lumtur që erdha përsëri në Kosovë, si dhe për mundësinë që t’i vizitoj Pallatin e Drejtësisë dhe Burgun e Sigurisë së Lartë. EULEX-i do të vazhdojë të ofrojë këshilla për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe për Këshillin Prokurorial të Kosovës në mënyrë që të përforcohen më tej të gjitha agjencitë të cilat e mbështesin zbatimin e ligjit”, tha Deane.
Deane do vizitojë Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc si dhe Pallatin e Drejtësisë, me ç’rast do të takohet edhe me kryetarin e Gjykatës Supreme Fejzullah Hasani.