Deklarata e partive politike: Pasojnë reagimet, PDSH e përmbajtur

Nga partia e Bilall Kasamit thonë se nuk bëhet fjalë për ndonjë marrëveshje bashkëpunimi mes partive por vetëm për një deklaratë e cila është në pajtim edhe me platformën e tyre partiake.
“Kjo deklaratë, shpreh vullnetin e përbashkët që cilado parti, që sot e në të ardhmen mund të jetë pjesëmarrëse në pushtet, të zotohet se në programin qeveritar me cilindo partner maqedonas këto pika do t’i ketë ndër prioritet kryesore, mbi të cilat do të mbështetet një program i tillë bashkëqeverisës”, thonë nga Lëvizja Besa.
Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se me gjithë vërejtjet kanë arritur të inkorporojnë edhe pjesë të platformës së tyre.
“Natyrisht që ne kemi vërejtjet tona por nuk mund të pretendojmë që një dokument i përbashkët i ndërtuar në frymën e konsensusit të përbashkët të përfshi vetëm Platformën tonë politike. Kontributi ynë në hartimin e këtij dokumenti të përbashkët të Partive politike shqiptare në Maqedoni ka qenë i domosdoshëm dhe përcaktues në interes të gjithë votuesve shqiptarë, duke i inkorporuar edhe pjesë të objektivave programore dhe politike të Aleancës për Shqiptarët”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Nga PDSH nuk janë prononcuar nëse i bashkangjiten platformës së faktorit politik shqiptarë.

