Delawie: Zero tolerancë ndaj zyrtarëve që ndihmojnë trafikimin

173

Megjithëse po bëhen përpjekje në luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, ende mbetet edhe shumë për t’u bërë në këtë drejtim. E po ashtu duhet zero tolerancë ndaj zyrtarëve të cilët bashkëpunojnë dhe ndihmojnë trafikimin me njerëz.

Kështu u tha në konferencën për Ditën e BE-së Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, organizuar nga Zyra e Koordinatorit Nacional Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, tha se institucionet përkatëse duhet të punojnë edhe më shumë, me qëllim që gjatë javëve dhe muajve në vijim, ta ndryshojnë thelbësisht imazhin e Kosovës në këtë fushë. Ndërsa kërkoi nga Prokuroria dhe Gjykatat, t’u japin prioritet lëndëve që kanë të bëjnë me trafikimin me qenie njerëzore.

“Duhet të them pa hezitim jo për të lëvduar Policinë pse është pjesë e Ministrisë që unë drejtoj, por e vërteta dhe ajo që del në raportet e deritashme është se Policia e Kosovës ka bërë punë të shkëlqyeshme. Këtë e thotë dhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe raportet tjera. Mirëpo ndëshkueshmëria e njerëzve të përfshirë në trafikim me qenie njerëzore nuk është në shkallën e duhur dhe këtu duhet bërë ndryshime thelbësore. Nuk jam këtu për të adresuar asnjë kritikë gjithandej, sepse jemi të vetëdijshëm për shkallën e lartë të ngarkimit të gjykatave tona dhe prokurorisë. Mirëpo është thelbësore që gjatë javëve dhe muajve në vijim ne ta ndryshojmë thelbësisht imazhin e Kosovës në këtë fushë… Ne do t’u kërkojmë me mirësjellje sot edhe Prokurorisë edhe Gjykatave që për aq sa kanë mundësi, gjithnjë duke pasur parasysh sa të ngarkuara janë që t’u japin prioritet lëndëve, që kanë të bëjnë me trafikimin me qenie njerëzore”, tha ministri Hyseni, raporton KP.

Ndërsa presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, duke kërkuar përpjekje me të madhe nga institucionet në luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, tha se është momenti i duhur që të luftohet ky krim.

“Fatkeqësisht as Kosova nuk është e përjashtuar nga ky fenomen për çka me gjerësisht foli ministri Hyseni. Këta njerëz, viktima të trafikimit kanë nevojë për ndihmën tonë. Prandaj secili prej nesh duhet të përpiqemi që ta parandalojmë dhe luftojmë trafikimin me njerëz, përmes veprimeve dhe masave konkrete. Është momenti i duhur që të gjithë të bashkohemi dhe të parandalojmë dhe luftojmë këtë krim, gjegjësisht trafikimin me njerëz në të gjitha format e tij dhe njëkohësisht të bëjmë më shumë për mbrojtjen e viktimave të trafikuara… Por përtej gjithë asaj që kemi arritur deri më tani në Kosovë, ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm që çështjet e luftës kundër trafikimit të personave, janë shumë me komplekse dhe kërkojnë një ndërgjegjësim të përgjithshëm shoqëror”, tha Thaçi.

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Dellawie tha se Kosova po bën përpjekje domethënëse në luftimin e këtij krimi, por ende mbetet shumë punë për t’u bërë, me qëllim që të plotësohen standardet ndërkombëtare, për eliminimin e trafikimit.

Delawie në këtë konferencë tha se ka shpresë se Qeveria do të punojë edhe për themelimin e strehimores në komunat në veri të vendit dhe në identifikimin e fëmijëve që detyrohen të kërkojnë lëmoshë, në mënyrë që ata të kthehen në shkollë.

Ai po ashtu tha se institucionet e vendit duhet të kenë zero tolerancë për të gjithë ata zyrtarë që ndihmojnë trafikimin me njerëz.

“Institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë hapat pozitiv, në ndalimin dhe ndëshkimin e trafikuesve, përfshirë edhe përmes përpjekjeve të suksesshme të njësitit policor, kundër trafikimit me qenie njerëzore. Hetimet e rrepta duhet të sjellin ndjekjen penale dhe ndëshkimin e trafikuesve, përfshirë dhe të zyrtarëve që bashkëpunojnë me krimin. Na ka inkurajuar dënimi i kohëve të fundit të ish- kreut të Zyrës për Komunitete në Rahovec. Shpresojmë që institucionet kosovare të marrin qëndrim për zero tolerancë ndaj zyrtarëve që ndihmojnë në trafikim. Për fat të keq vitin e kaluar, Qeveria ka indetifikuar më pak viktima dhe ka ndjekur më pak të dyshuar. Shkalla e dënimeve ka qenë më e ulëta në 5 vitet e fundit. Ndërsa raporti ynë kundër trafikimit ka vënë në pah se gjykatësit kanë dhënë dënime me të lehta për trafikuesit e dënuar”, tha Delawie.

Ndërkaq shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se për Bashkimin Evropian luftimi i trafikimit me njerëz, është top- prioritet në mbarë botën. Sipas saj rreth 300 projekte kundër trafikimit janë financuar nga Komisioni Evropian me një vlerë totale prej 150 milionë euro gjatë një periudhe 15 vjeçare dhe se edhe Kosova përfiton nga projektet e tilla.

Ndërsa tha se jo vetëm policia dhe Prokuroria, por dhe e gjithë shoqëria duhet të punojë më shumë, me qëllim që të identifikohen dhe ndëshkohen trafikantet.

“Edhe ky fenomen negativ, ka prekur dhe shoqërinë e Kosovës. Ne e shohim këtë në baza ditore, i shohim fëmijët duke kërkuar lëmoshë në rrugë. I shohim keqtrajtimet e të rinjve dhe të rejave. Andaj ne bashkërisht duhet ta luftojmë këtë krim, ku secili nga ne kemi rol për të luajtur këtu. Është pjesë e jona, jo vetëm Policia, Prokuroria duhet të identifikojnë dhe ndëshkojnë trafikantët. Jo vetëm Qeveria edhe pse ajo ka për detyrë të hartojë legjislacion, politika e strategji. Ne duhet bashkërisht të luftojmë këto dukuri. Andaj duhet të sigurohemi që çdo viktimë të jetë një i mbijetuar i shëndoshë duke i ofruar ndihmë dhe asistencë institucionale. Por kjo nuk mund të arrihet pa një ndihmë nga të gjithë ne. Andaj kërkohet bashkëpunim dhe bashkërendim më të madh”, tha ajo.

Comments