Demarkacioni me Malin e Zi, vitin tjetër

332
Ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, pritet të shqyrtohet vitin e ardhshëm, pasi kjo marrëveshje nuk do të diskutohet as nesër, e cila është seanca e fundit parlamentare për këtë vit, kështu që mosmarrëveshjet do të mbeten për vitin 2017.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë për gazetën “Zëri” se nuk do të ketë seancë as pikë emergjente për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi.

“Në qoftë se kërkon kryeministri seancë emergjente mund të futet, por nuk ma merr mendja sepse deri më tani nuk është diskutuar as në Kryesi dhe as nuk ka pasur të paktën asnjë lëvizje në këtë drejtim”, ka deklaruar Haliti.

As deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Nuredin Ibishi, nuk beson se Demarkacioni do të riprocedohet në Kuvend brenda këtyre ditëve.

“Jo, jo nuk besoj që mundet të vijë pa një paralajmërim kështu. Unë nuk kam dëgjuar edhe pse është përfolur kështu, por jo diçka zyrtare. Edhe nuk besoj që mundet të vijë në mënyrë të papritur”, ka deklaruar Ibishi.

Kurse profesori i gjeografisë, Shpejtim Bulliqi, vlerëson së gjatë kësaj kohe ka pasur hapësirë të mjaftueshme që të mënjanohen të gjitha lëshimet të cilat janë bërë në Komisionin Shtetëror për Demarkacionin.

“Ka pasur kohë të mjaftueshme ku kanë mundur të mënjanohen të gjitha lëshimet që janë bërë në Komisionin Shtetëror për Demarkacion, ndërsa kur duhet të sillet në Kuvend është çështje e Qeverisë, ajo e vlerëson më së miri këtë proces”, ka deklaruar ai.

Sipas Bulliqit, versioni nga ana e profesionistëve është dhënë dhe tashmë i mbetet politikës kjo punë.

Comments