Dëmshpërblimi për “Sopotin”, në procedurë qeveritare

355

Alsat mëson se pala mbrojtëse e banorëve të Sopotit të cilët u dënuan padrejtësisht, ka arritur marrëveshje me avokatin e shtetit Fehmi Stafën për dëmshpërblimin dhe shumën e tij mbi vuajtjen e tyre në burg prej 7 vitesh, aktvendimi për të cilin ishte i gabuar.

Sipas të dhënave, pavarësisht kërkesës nga pala mbrojtëse për 12 mijë denarë, për ditë të vuajtur, avokati i shtetit ka arritur pajtim deri në shumën 5 mijë e 500 denarë dita për të tri kategoritë: Paraburgimi, arresti shtëpiak dhe vuajtja me burg. Kjo marrëveshje siç mëson Alsat është dërguar tashmë edhe në Qeveri që prej ditës së premte, 14 dhjetor.

Ndërkohë një ditë më herët avokati i shtetit ka kërkuar gjithashtu nga sektori për evidencën e ekzekutimit të dënimeve në Drejtësi të shprehet qartë lidhur me ditët që banorët e Sopotit kanë vuajtur padrejtësisht ne paraburgim, arrest shtëpiak dhe burg. Alsat kontaktoi sot Qeverinë nga e cila na thanë se e kanë marrë tashmë në shqyrtim kërkesën e avokatit te shtetit lidhur me dëmshpërblimin e mundshëm të sopotasve. Megjithatë nga Qeveria nuk dhanë informata shtese nëse do te vendoset mbi këtë rast në seancën e nesërme te Qeverise pasi dokumenti është me urgjence.

Lënda është në procedurë qeveritare dhe pas shqyrtimit dhe vendimit përkatës do të njoftohet opinioni. Ndërkohe nga ministria e drejtësisë thonë se nuk janë të njoftuar për procedurën.

Këtë procedurë e udhëheq avokati i shtetit që do të thotë se ne si ministri nuk marrim pjesë në këtë. Nuk edhe informacione më të detajuara se deri ku është kjo procedurë”- tha Renata Deskoska, Ministre e Drejtësisë.

Megjithatë pavarësisht se Deskoksa nuk pranon të jetë e njoftuar për procedurën Alsat mëson se javën e kaluar dikasteri i saj ka kthyer përgjigje negative ndaj kërkesës e mëhershme të avokatit të shtetit për shumën e dëmshpërblimit, e kërkuar paraprakisht nga pala mbrojtëse.

Ministria e Drejtësisë sikurse Qeveria janë njoftuar serish në të njëjtën ditë me marrëveshjen e re që pala mbrojtëse ka arritur me avokatin shtetëror për 5 mijë e 500 denarë dita dhe ende nuk ka kthyer një përgjigje.

Seanca për dëmshpërblimin duhet të mbahet të hënën e ardhshme më 24 dhjetor, ndërkohë që praktika e deritanishme për lëndë të karakterit të tillë ku shteti humb gjyqin me palët, është nga 3 deri në 6 mijë denarë për një ditë vuajtje ne burg.

Comments