Dënohen me nga tre vjet burg për krijimin e deponisë së paligjshme në Vardarishte

90
fresco

Tre vjet burg për Majsut Memishin, Almir Asanin dhe Florin Arifin, të cilët kishin krijuar deponi të paligjshme në Vardarishtë dhe me këtë kishin rrezikuar mjedisin jetësor dhe natyrën me mbeturina. Sipas Gjykatës Penale, personat janë shpallur fajtorë për veprat që u ngarkohen, ndërsa deponitë e paligjshme i kishin krijuar me qëllim përfitimi material duke shitur hekur të vjetër.

“Të akuzuarit janë fajtorë sepse kanë krijuar deponi të egra dhe kanë shitur hekur të vjetër pa kompani, edhe pse kanë qenë të vetëdijshëm se për ushtrimin e kësaj veprimtarie nuk posedonin asnjë leje. Në Vardarishtë kanë krijuar një deponi të egër në kundërshtim me rregullat për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe me këtë kanë vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve që jetojnë atje”, deklaroi Branka Naumoska – gjykatëse.

Për veprën që u ngarkohet të akuzuarve, dënimi i parashikuar me burg është nga tre muaj deri në tre vjet, që do të thotë se është shqiptuar dënimi maksimal edhe pse në seancën e parë ata e pranuan fajësinë. Në aktakuzë thuhej se për një periudhë të gjatë kohore, në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për menaxhimin e mbeturinave dhe me rregulloret për mbrojtjen e mjedisit jetësor, ata kishin depozituar sasi të mëdha hekuri të skrapuar, mbeturina elektronike, pjesë nga automjete të vjetra, karroceri nga mjete të vjetra të hedhura dhe të tjera, në një lokacion për të cilin nuk kishin leje përkatëse për menaxhim me mbeturina.

Më 9 korrik, në këtë lokacion ishte shkaktuar zjarr i pakontrolluar që përfshiu të gjithë materialin e depozituar, dhe për shkak të përmasave dhe rrezikshmërisë, zjarri nuk mundi të vihej menjëherë nën kontroll.

Comments