Denis Zaka në gjyq: Si e vrava kushëririn më thikë se më shau gruan

Denis Zaka, i cili ka vrarë kushëririn e tij në Greqi pak çaste para se të kryenin një vjedhje të planifikuar, ka dalë këtë të martë para Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Ai ka pranuar vrasjen e Vladimi Murrizit dhe gjykata pranoi kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar.
Vrasja e Murrizit ndodhi në Gusht të 2016 në Greqi, ndërsa vrasja u zbulua dy javë më pas nga policia e Fierit e cila vuri në hetim Zakën.
I braktisur nga familjarët Zaka doli para gjykatës aty ku shpjegoi se si kish vrarë me thikë Murrizin e më pas e kishte groposur për të humbur gjurmët.
Gjatë një seance më herët, ai ka thënë: “Kushëririn e vrava se më shau gruan. Pimë alkool të dy në lokal. Pastaj u nisëm të vidhnim një frezë. Rrugës debatuam. Nuk durova dot sharjet ndaj gruas dhe e godita me thikë. Vladimiri ra përtokë dhe ishte i mbuluar nga gjaku. Nuk reagoi më… Kisha frikë nga arrestimi, nuk dija ç’të bëja, ndaj vendosa ta fsheh kufomën. E groposa buzë një përroi…”.
Zaka rrezikon dënimin me të paktën 35 vite burgim, për akuzën e vrasjes për shkak të marrëdhënies familjare.