Deputetët turq në SHBA, kërkojnë ekstradimin e Gulen’it

204

gylen

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ritheksoi sot në një fjalim në televizion se përpjekja e dështuar për grusht shteti muajin e kaluar ishte planifikuar jashtë vendit. Ndërkohë, një grup deputetësh turq ndodhen në Uashington për t’i nxitur zyrtarët amerikanë të plotësojnë kërkesën e Ankarasë për ekstradimin e klerikut Fethullah Gulen, i cili akuzohet se orkestroi përpjekjen për grusht shteti

Zyrtarë turq thonë se refuzimi për të kthyer Fethullah Gulen’in në Turqi do të vështirësonte marrëdhënien ndërmjet të dy vendeve dhe do të kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin rajonal.

“Në një kohë kur lufta për pushtet është në kulmin e saj, do të ishte e papranueshme mundësia që personi që organizoi një puç të përgjakshëm të qëndrojë në një vend aleat, duke pasur madje edhe mundësinë të largohet drejt vendeve të treta.”

Takimi tek Departamenti i Drejtësisë ishte bashkëpunues, por zyrtarët turq paralajmëruan për pasoja serioze për marrëdhëniet SHBA – Turqi dhe luftën globale kundër terrorizmit, nëse Uashingtoni nuk përmbush kërkesën e Ankarasë.

Zyrtarët amerikanë nuk kanë komentuar për statusin e kërkesës së ekstradimit, duke përmendur se dokumentet e paraqitura nga Turqia janë duke u studiuar në Departamentin e Drejtësisë.

Sipas qeverisë turke, përpjekja për grusht shteti i ka kushtuar deri më tani ekonomisë së Turqisë rreth 100 milionë dollarë, transmeton VOA.

Ndërkohë, shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë amerikane, Gjenerali Joe Dunford, shkoi dje në Turqi për të konfirmuar rëndësinë e partneritetit strategjik ndërmjet të dy vendeve.

Comments