Deputeti i Lëvizjës Vetëvendosje: Miratuam projektligje që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve

100

Deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Kërçeli ka theksuar se dje u miratuan disa projektligje të rëndësishme që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

“Shteti tashmë do të ketë mekanizma për kontrollin e çmimeve të produkteve bazike në kohë krizash, si buka, qumështi, uji, vaji e produkte të tjera të domosdoshme.

Edhe pse në deklaratat publike opozita shpesh flet për shqetësimet e qytetarëve, në praktikë edhe dje nuk e mbështeti këtë ligj që është në të mirë të qytetarëve.

Po ashtu, u miratuan edhe projektligji për sigurimet shëndetësore, ai për shtetësinë, si dhe disa projektligje të tjera me rëndësi për jetën e përditshme të qytetarëve.

Për katër vite radhazi, pothuajse çdo nismë është tentuar të paraqitet si fushatë, me arsyetimin se “zgjedhjet janë afër”. Por katër vite kaluan, zgjedhje nuk pati, ndërsa qytetarët përfituan nga këto politika.

Edhe tani ka akuza se ligjet po sillen me nguti në Kuvend. Por kjo është puna jonë.

Detyra e deputetit është të trajtojë projektligje në komisione, të japë kontribut profesional dhe të sigurojë që të miratohen sa më shumë ligje në të mirë të vendit dhe qytetarëve tanë.

Ndoshta do të ketë sërish tentativa për bllokada, si vitin e kaluar, dhe ndoshta mund të shkojmë edhe në zgjedhje. Por së paku, për aq kohë sa kemi besimin e qytetarëve, duhet të bëjmë sa më shumë punë të mira.

Puna nuk duhet të ndalet. Republikës sonë ia kemi borxh angazhimin dhe përkushtimin”. /Indeksonline/

Comments