Deputeti i VV-së me deklaratë shokuese, krahason prokurorët e gjyqtarët e Kosovës me Millosheviqin

154

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka hedhur kritika të shumta mbi sistemin e drejtësisë në vend.

I njëjti duke mos përfunduar me kaq, ka krahasuar prokurorët dhe gjyqtarët e Kosovës me sistemin e Millosheviqit, njohur ndryshe si kasapi i Ballkanit.

Për Dimal Bashën, prokurorët dhe gjyqtarët e Kosovës që i shërbejnë individëve e e jo drejtësisë, janë më të këqinj sesa ata të kasapit të Ballkanit.

Deputeti Dimal Basha ka përmendur disa raste në të cilat sipas tij ka dështuar drejtësia dhe secilin prej tyre e krahason me sistemin e Millosheviqit, transmeton lajmi.net.

Ai tha gjithashtu se sistemi i drejtësisë kontrollohet nga bandat.

Deklaratë të ngjashme Dimal Basha pati edhe disa ditë më parë, e lidhur me këtë mbrëmë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu reagoi duke thënë se kjo deklaratë është e papranueshme.

Postimi pa ndërhyrje i Dimal Bashës:

Veq t’ua kujtoj shpejtë disa fakte për sistemin e drejtësisë në republikën tonë edhe pse si dalloj me etni e nacionalitet!

Në Kosovën e pavarun dihet tanimë botnisht që ka prokuror që kanë bashkëpunu me agjentë të AKI-së me orkestru arrestimin e Kryeministrit Kurti, Kryeparlamentarit Konjufca, e disa tjerëve me qëllim të likuidimit politik dhe me tendencë me shpallë subjektin LV si “organizatë terroriste.”

Njejtë ka qenë në sistemin e Millosheviçit, pra kanë montu raste për me dënu shqiptarë e qe besa edhe me na shpall terrorist?!

Ky sistem i drejtësisë e ka majtë n’burg Astrit Deharin për 68 ditë pa aktakuzë, pa gjykim, dhe nuk e kanë marrë as në pyetje. Kryeprokurori Hoxha pat konstatuar se Astriti është vetëvrarë, kurse Raporti i Institutit Zviceran e ka përjashtu vetëvrasjen e Astritit si mundësi.

Sistemi fashist i Milloshit ka vepru njejtë, burgoske shqiptar dhe i nxjerrte të vdekur pa aktakuzë e gjykim! Pse duhet me thanë ndryshe?!

Kemi edhe rastin e Dardan Krivaqës, i cili ka pas dhjetëra vepra penale dhe ka qarkullu lirshëm derisa përfundoi në abuzimin, dhunimin dhe vrasjen e një vajze 18 vjeçare.

Edhe në sistemin e Millosheviçit ka pas kriminel që na banin dëm edhe vazhdonin të qarkullonin të lirë!

Qe 20 vite i madh e i vogël e dimë që na kanë vjedh, dhe prapë në këtë sistem të drejtësisë askush ende nuk e ka mbajtë asnjë ditë burg për korrupsion. Rastin PRONTO e shumë të ngjashme i ka nxjerr të “pafajshëm!”

Njejtë vjedhshin kllapa e sistemit të Milloshit, asnjë kurrë nuk u akuzu për korrupsion!

Pse duhet me kanë politikisht korrekt me njerëz t’prishtë që paguhen me shërby drejtësi qytetarëve, kurse punojnë me i shërby kriminelëve? Pse duhet me i amnistu llomat brenda sistemit të drejtësisë, që e dëmtojnë vendin, qytetarin dhe ia humbin mundin e nderin secilit njeri që ka luftu e vdek që ky vend me pas drejtësi, sepse fundja lufta në Kosovë ka ardh për shkak të padrejtësive të sistemit millosheviçian!

Pse me kërku gjuhë korrekte me njerëz që krejt shoqnia pajtojmë që janë jo korrekt? As ambasadat dhe as shoqëria civile nuk i kanë kursy me fjalët ma t’randa, edhe prandaj krejt po insistojmë për veting, që i bje se sistemi i drejtësisë ka nevojë për pastrim nga virusët që e mbajnë sistemin e sëmurë. Mu për shkak të këtij sistemi të kalbur edhe qytetarët e kërkojnë vetingun, kurse këta prapë e refuzojnë duke thanë ‘ne e dimë veten se jemi t’paqtë.’

Për fund, une nuk kam thënë atë që e tha Adriatik Kelmendi në emision, se gjoja ju kam thënë krejt “prokurorëve dhe gjykatësve të Kosovës si gjykatësit e Millosheviçit.” Edhe pyetjen e ndërtoj në bazë të kësaj premise që nuk është e vërtetë. E ka pas në ekran për ta qartësu, por meqenëse e njoh për profesionist, po besoj i kanë ik detajet. Nuk janë krejt, dhe se ka plotë prokurorë e gjyqtarë fantastik, shumë që edhe i njoh, mirëpo edhe ata vet janë viktimë sepse nuk avancohen, sepse nuk janë të dëgjueshëm ndaj “bandave” që unë besoj e kontrollojnë sistemin.

Prandaj, çka kam thënë unë atëherë dhe pa hezitim vazhdoj me thënë sot edhe se kam aspkak problem është se çdo prokuror apo gjyqtar që ju shërben individëve e jo drejtësisë, dhe që me qëllim punon kundër Kosovës dhe interesave të qytetarëve tanë, për mu është më i keq se një prokuror apo gjyqtar i Milloshit sepse ata bile i kemi njoftë për armiq, ama hala ma randë kur t’vje e njejta padrejtësi nga i “joti.” Për mu ka pak rëndësi etnia apo nacionaliteti, unë i vlerësoj njerëzit në veprat që i bëjnë, jo etnisë apo nacionalitetit që i takojnë. Pikë!

Kurse nëse ka dyshime nga dikush, unë prapë vazhdoj me besu që Albulena Haxhiu është Ministrja më e mirë e Drejtësisë që ka pas Kosova ndonjëherë!./Lajmi.net/

Comments