DERI NË FUND TË MUAJIT TË GJITHË DO TË KENË NGROHJE NË PRISHTINË



Ngrohtorja e kryeqytetit “Termokos” paralajmëron se deri në fund të muajit, të gjitha objektet e kyçura të furnizohen me ngrohje. Zëdhënësja Afërdita Uka tha për Radio Kosovën se deri në fund të muajit, do të fillojë furnizimi me ngrohje për të gjithë banorët e Prishtinës, të cilët janë të kyçur në këtë ngrohtore.
Ekipet e ngrohtores ”Termokos” në Prishtinë, po vazhdojnë punën me një intensitet të shtuar me ç’ rast pritet që deri në fund të këtij muaji të gjitha objektet e kyçura, të furnizohen me ngrohje.
Zëdhënësja Afërdita Uka tha për Radio Kosovën se deri në fund të këtij muaji do të fillojë furnizimi me ngrohje për të gjithë ata të cilët janë të kyçur në sistemin e kësaj ngrohtoreje.
”Ka qenë e planifikuar që këto punime të përfundojnë nga fillimi i muajit të ardhshëm. Sipas dinamikës së punimeve shpresojmë se do të përfundojë edhe ky pozicion para afatit të paraparë dhe brenda pak ditësh do të lëshohet ngrohja edhe për këtë pjesë të qytetit”.
Ekipet e ngrohtores janë duke sanuar edhe disa defekte në rrjetin sekondar të ngrohjes. Zëdhënësja thotë se ata nuk janë të obliguar ligjërisht që të kryejnë punimet që po i bëjnë në lagjen ”Ulpiana” dhe atë ”Dardania”, dhe të cilat priten të përfundojnë shumë shpejt.
”Duhet ta sqarojmë se janë në pjesën sekondare të rrjetit, të cilat ligjërisht nuk janë përgjegjësi e Termokosit, janë në Lagjen Ulpiana te Soliterat ku është një rrjedhje në pjesën sekondare. Po ashtu është edhe një defekt në Lagjen Dardania, objekti 25. Edhe ky defekt është në pjesën sekondare të rrjetit por ekipet tona janë angazhuar që të bëjnë eliminimin e këtij defekti dhe të furnizojmë me ngrohje edhe këtë objekt banesor”.
‘”Termokos” bën të ditur që punimet në afërsi të KEDS-it, nga ngrohtorja ”Termokos” tanimë kanë përfunduar me ç’rast ka filluar furnizimi me ngrohje për Kompleksin Universitar, ndërtesën e Radio Kosovës, objektet në rrugën ”Eqrem Çabej”, Bibliotekën Kombëtare, Akademinë e Shkencave dhe Arteve si dhe Ministrinë e Arsimit.