Dëshmi tronditëse, vëllai i Vuçiç i përfshirë në vrasjen e Ivanoviçit? (VIDEO)

400

Një dokumentar i punuar nga redaktori i gazetës serbe “Rikoshe”, Sasha Mirkoviq bashkë me gazetarët e tjerë të këtij mediumi, e që bën fjalë për vrasjen e politikanit serb të pjesës veriore të Kosovës, Oliver Ivanoviq,  po sjell telashe të mëdha në Serbi. Kjo, pasi redaktori ka pranuar kërcënime nga Andrea Vuçiq, vëlla i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Ai kërkon që të mos shfaqet ky dokumentar me rrëfime autentike. Në një intervistë përmes telefonit për RTV Dukagjinin, Sasha Mirkoviq deklaroi se ndjehet i kërcënuar, pasi disa dëshmitarë përmendin edhe emrin e Andrea Vuçiqit si urdhërdhënës për vrasjen e Ivanoviqit. “Unë s’kam kontakte me Andrea Vuçiqin qe një kohë të gjatë. E vetmja gjë që e pengon është se unë jam redaktor i gazetës ‘Rikoshe’. Unë së bashku me gazetarët e tjerë po trajtojmë vrasjen e Oliver Ivanovqit, dhe në bazë të dëshmitarëve të marrë nga ne është përmendur emri i tij [Andrea] si një nga porositësit për vrasjen e Oliverit”, deklaron për RTV Dukagjinin, Sasha Mirkoviq.

Dëshmitarët u kanë thënë gazetarëve të “Rikoshe” se Andrea ka qenë mysafir i rregullt në Kosovë, i ftuar nga  Milan Rajdojiçiqi, dhe kjo është arsyeja pse emri i tij është lidhur me vrasjen e Oliverit. Andrea Vuçiqi ka ngritur padi ndaj gazetarit duke kërkuar që të anuloj shfaqjen e dokumentarit ku flitet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. “ Unë kam pasur kërcënime edhe nga vet presidentit Aleksandar Vuçiqi. Unë kam dashur ta paraqesë rastin në organet e drejtësisë, por  gjykatat në Serbi nuk funksionojnë si duhet, duke e vendosur diktaturën mbi gjykatat.  Asnjë gjyqtar nuk guxon të merret me asnjë lëndë që ka të bëjë me Aleksandar Vuçiqin. Unë kam ngritur padi edhe në Gjykatën e Mitrovicës, por ajo është hedhur poshtë pa asnjë dëshmi, sepse kështu është urdhëruar nga kabineti i shefit të shtetit serb”, deklaroi Mirkoviq. Gazetari thotë se përkundër kërkesës për mbrojtje, ai nuk është marrë parasysh. “Askush nuk na ka marrë në mbrojtje. Ne ju kemi ekspozuar rreziqeve të lloj-llojshme dhe nuk është interesuar askush për sigurinë tonë. Nuk ka mbetur  asgjë më shumë, pos të na vrasin.  Ne do të vazhdojmë edhe më tutje të punojmë në këtë dokumentar. E di se do ta kemi të vështirë, por do të punojmë, sidomos në rrëfime  autentike, edhe pse Vuçiqi vazhdon t’u bëjë thirrje që të  mos flasin tek ne. Strukturat mafioze në veri i udhëheq Andrea Vuçiqi, vëllai i presidentit, së bashku me Bratisllav Gashiq, Nebojsha Stefanovi dhe të tjerë”, shtoi Mirkoviq.

Pas ardhjes në pushtet të Aleksandar Vuçiqit dhe mbështetjes së tij për Listën Serbe, Oliver Ivanoviq u shpreh hapur në publik se e kundërshton politikën e Beogradit, duke deklaruar se situata në veri të Kosovës ishte përkeqësuar dhe se strukturat kriminale të lidhura me politikën po terrorizonin banorët. “Po gjendja ka ndryshuar për të keq. Është e jashtëzakonshme ndenja e rrezikut dhe frikës tek populli. Nga qindra njerëz me të cilët kam biseduar kur jam liruar, asnjëri nga ta  nuk la pa përmendur ndjenjën e frikës. Ata nuk frikësohen nga shqiptarët, por nga serbët. Nga kriminelet që shëtisin me xhipat pa tabela. Droga shitet në çdo kënd. Çdo prind vuan nga ky fakt”, kishte deklaruar Oliver Ivanoviq. Lideri i Iniciativës Qytetare “Serbia, Demokracia dhe Drejtësia”, Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar. Ai  ishte i dënuar për vrasjen e shqiptarëve gjatë vitit 1999- 2000.

Comments