“Dëshmia” e pretenduar para policisë serbe, Durmishi e mohon: Dokument i publikuar është i falsifikuar
Sot gjatë ditës është një dokument, në të cilin pretendohej se është dëshmia e Hysen Durmishit, zëvendësministër në Qeverinë e Kosovës, para policisë së Serbisë, ku shpjegohet për organizimin e UÇK-së në Suharekë. Në lidhje me këtë dokument, ka reaguar edhe Durmishi, aktivist i VV-së.
Durmishi e ka mohuar autencitetin e këtij dokumenti, duke shkruar se është i falsifikuar. Tutje, Durmishi ka pohuar se kjo është hera e parë qe po e sheh dokumentin në fjalë dhe ka hedhur dyshime se nënshkrimi në këtë dokument nuk është i tij.
“Ky dokument që është publikuar po qarkullon nga dora në dorë qe një kohë. Për këtë jam njoftuar nga një gazetar para më shumë se një viti. Nuk e kam marr seriozisht sepse është dokument i fallsifikuar. Ajo nuk është deklaratë e imja dhe as nuk është e nënshkruar nga unë. Aty shihen dy nënshkrime, njëri është me shkronja të mëdha e tjetri me të vogla dhe emri është Hisen e jo Hysen. Këtë dokument unë e kam parë për herë të parë para një viti dhe asnjëherë më përpara. Dhe më e rëndësishmja ky dokument nuk ka qenë asnjëherë pjesë e aktakuzës apo aktgjykimit tim. Aty në dokument përmenden emra të vërtetë që kanë qenë në atë kohë me mua në luftë por ka edhe emra që unë nuk i njoh fare. Kjo tregon që ky dokument është bërë më vonë duke paraqitur të vërteta të asaj kohe por edhe duke shtuar gjëra të pavërteta, që dikush kur e sheh një gjë të vërtetë ta besoj mandej krejt dokumentin” – ka shkruar Durmishi, ndër të tjera.
“Po të ishte i vërtetë ky dokument do të pësonte ndonjëri nga ata emra që përmenden në atë dokument. Asnjëri nga ata emra nuk është arrestuar. Dhe mos harroni një gjë që Serbia ka pasur shumë informata për neve në atë kohë sepse ne nuk kemi qenë organizatë ilegale, nuk kemi vepruar me maska dhe njerzit na kanë njohur sepse na kanë parë nëpër pika të kontrollit e istikame. Bashkëpunëtor të Serbisë ka pasur gjithandej dhe ata nuk kanë pasur nevojë që nga unë ti marrin këto informata” – ka shkruar ai.
Në sqarimin e tij, Durmishi ka treguar se e ka gëlltitur një vendim të Sadik Halitjahës, komandant i UÇK-së, ndërsa gjatë kohës së burgut, Durmishi pretendon se nuk ka informuar në lidhje me aktivitetet e tij.
“Një sqarim për të gjithë qytetarët e këtë që do e them e kuptojnë më së miri bashkëvuajtësit e mi nëpër burgjet e Serbisë. Atë ditë, pra me datë 19 shtator të vitit 1998, unë kam qenë i torturuar në mënyrë çnjerëzore. 7 herë më kanë futur në rrymë dhe disa herë kam qenë i alivanosur. Unë as nuk kam qenë në gjendje që të nënshkruaj ndonjë dokument. Unë dhe shokët e mi pasojat e burgut i vuajmë edhe sot. Përveq tjerash unë sot me veshin e majtë dëgjoj vetëm 40%. Unë vetëm një frigë e kisha atë ditë. Nuk mendoja fare për vete. Frikësohesha që po zbulohet shoku im i plagosur se kush ishte. Ai ishte ushtar i njësisë “Shqiponjat e zeza” i plagosur dy herë në luftë. Ai nuk u zbulua atë ditë dhe as më vonë. Unë ndihem i lumtur që ai ka dalur nga burgu bashkë me mua dhe sot jeton në Kosovë. Krejt burgun e ka kaluar me emër tjetër dhe për këtë një kontribut të vogël e kam edhe unë. Këtë rast e dijnë të gjithë të burgosurit politik të asaj periudhe” – ka vazhduar Durmishi.