DËSHMIA E SIMO GRUEVSKIT: “SHËRBIMET NË MPB KANË PËRGJUAR TË GJITHË OPERATORËT TELEFONIKË”


“Është turp të thuhet se në Maqedoni nuk ka ekspertë që mund t’i nxjerrin të dhënat nga sistemet e përgjimit, në rast se këto të dhëna nuk janë fshirë”, thotë Simo Gruevski, ish anëtar i bordit të drejtorëve të “Telekom”.
“Më habit fakti se është pritur që dikush nga kompania “Erikson” të vijë t’i nxjerrë të dhënat nga sistemi. Kjo është turp për shtetin dhe për Ministrinë e Punëve të Brendshme. Si kanë blerë pajisje për përgjim pa mos ditur se si të njëjtat t’i përdorin. Kjo është naivitet por që dikush arsyetohet në këtë mënyrë, vetëm e vetëm ta pengojë punën. Tani, prokuroret vështirë të kenë qasje te të dhënat kompjuterike sepse me sa duket të dhënat nuk gjenden. Përgjimi është kryer pa kurrfarë rezerve. Thotë Mijalkovi: “Vendose këtë numër për t’u përgjuar” – dhe aq. Kështu është bërë përgjimi”, u shpreh Simo Gruevski, Ish anëtar i bordit në “TELEKOM”.
Ish anëtari i bordit të drejtorëve në “Telekom” Simo Gruevski shton se në Maqedoni nuk respektohet Ligji për ndjekjen e komunikimeve.
“Supozoj se MPB nuk u jep informacione operatorëve se do të përgjojë persona të caktuar. Tani këta persona të përgjuar duhet të shkojnë në gjykatë dhe të kërkojnë dëmshpërblim nga operatori, jo nga ministria e brendshme, edhe pse ministria e brendshme ka përgjuar në mënyrë sekrete pa dijeninë e operatorëve telefonikë”, shtoi Simo Gruevski.
Përndryshe, kundër Simo Gruevskit kishte padi për shkak se është shprehur publikisht dhe e ka njoftuar qeverinë dhe institucionet e tjera kompetente për mospajtimet e tij në lidhje me punën e ekipit menaxherial të “Telekom”. Në prill të vitit 2004 ai u shkarkua nga Bordi i drejtorëve të “Telekom” pasi në Komisionin Anti-korrupsionin denoncoi disa parregullsi të punës së ekipit menaxherial. Vendimin për shkarkim ia ka dorëzuar personalisht drejtori ekzekutiv Atilla Sendrej, që përndryshe dyshohet për mitmarrje në rastin “Magjar Telekom”. TV 21 është në pritje të përgjigjeve ndaj pyetjeve që ia parashtruam operatorit.