Dështimi i anëtarësimit të Kosovës në KiE, Çitaku: Fitoi pushteti, jo shteti

187

Pasi Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës për seancën e 17 majit nuk e ka futur në rend dite anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, ka reaguar Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku.

Çitaku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Edhe një herë gjatë këtyre katër viteve, fitoi pushteti dhe jo shteti”.

“Sot, Kosova, qytetarët tanë, është dashur të festojnë pranimin në Këshillin e Evropës. Sot, do të duhej të konkretizonim një sukses që do të forconte demokracinë, sundimin e ligjit dhe shtetësinë tonë – për të cilin është punuar gjatë”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka thënë se “pas përjashtimit të Rusisë në vitin 2022, PDK ka insistuar që Kosova të bëhet pjesë e kësaj organizate, duke dhënë mbështetjen e saj të parezervë”.

“Fatkeqësisht, për arsye të ditura tashmë, edhe kjo mundësi u humb – e nuk e dijmë se kur do të na paraqitet prapë”.

Zyrtarja e lartë e PDK-së ka thënë se “Edhe një herë gjatë këtyre katër viteve, fitoi pushteti dhe jo shteti. Shkurtpamësi me pasoja të mëdha e të gjata. Keq – shumë keq!”.

Comments