Detaje të reja nga aksioni i madh antidrogë në Tetovë
Një aksion i madh antidrogë i policisë së shtetit është duke u zhvilluar që në orët e para të mëngjesit në dy lokacione, një në qytetin e Tetovës tek ish rektorati i UT-së, dhe tjetri në fshatin Bogovinë të Tetovës, raporton Alsat.
Aksionet janë të ndërlidhura sepse bëhet fjalë jozyrtarisht për kontroll të pronave të të njëjtit pronar, i cili posedon disa klube nate, kazino dhe ndërmarrje të tjera.
Deri në këto momente, rrugët tek ish rektorati i UT-së vazhdojnë të jenë të bllokuara dhe po kontrollohen disa objekte, ndërkohë që e bllokuar rezulton edhe Bogovina në disa pika, tek shtëpitë e banimit të pronarëve të lokaleve si dhe tek vetë lokalet siç janë baret e natës dhe kazinotë.
Zyrtarisht ende nuk ka asnjë informacion nga ana e policisë, por dyshohet për disa të arrestuar.
Nga aksioni i sotëm i policisë, janë kontrolluar edhe objektet e banimit të disa bashkëpunëtorëve të pronarëve të objekteve që u bastisën.
Në orët e pasditës, pritet që policia dhe prokuroria të dalin me detaje më të hollësishme./ Alsat.mk