Deutsche Welle: Rizgjedhje e kontestuar e Bashës në krye të PD, gëzon mbështetjen e heshtur të Sali Berishës
Ndërsa Lulzim Basha u rizgjodh kryetrari Partisë Demokratike, vijon analiza e mediave ndërkombëtare sa i takon mandatit të tij të dytë në krye të partisë më të madhe opozitare. Kështu përmes një analize të detajuar prestigjiozja gjermane, Deutsche Welle shkruan se Lulzim Basha nuk është më i vetëngrirë, pasi u shpall kryetar i PD-së, të dielën në mëngjes, ndërsa theksoi se Partia Demokratike ndodhet mes sfidës së ringritjes dhe rrezikut të rënies.
“Forca më e madhe e djathtë në opozitë në Shqipëri mes sfidës së ringritjes dhe rrezikut të rënies. Sot është dita e parë kur Lulzim Basha nuk është më “i vetëngrirë”, pas 1 muaji të vetëheqjes së kompetencave të tij si kryetar i PD-së, si reagim për humbjen e thellë në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.
Ai u shpall kryetar i PD-së, të dielën në mëngjes”, theksohet në shkrim. E teksa i referohet kronologjisë së zgjedhjeve brenda PD, Deutsche Welle shkruan se për herë të parë në historinë 27 vjeçare të PD-së, kryetari i saj rizgjidhet pas kontestimesh të forta për një garë false dhe akuzave për një mandat pa legjitimitet.
“Për herë të parë në historinë 27 vjeçare të PD-së, kryetari i saj rizgjidhet pas kontestimesh të forta për një garë false dhe akuzave për një mandat pa legjitimitet. Akuzat ndaj Bashës janë të rënda dhe kanë të bëjnë me standarde demokratike në jetën e brendshme dhe drejtimin e PD-së. Personalitete të saj me kontribute historike, të etiketuar “të vjetrit” e akuzojnë Bashën për garë false dhe me rezultat të paracaktuar në favor të vetes, për pasojë për një mandat kryetari jo legjitim. Por ata duket se nuk kanë peshën e dikurshme pasi nuk janë më deputetë”, nënvizohet në shkrim. Ndërkohë Deutsche Welle shkruan se garada e vjetër dështoi të detyronte Bashën të jepte dorëheqjen pas humbjes në 25 qershori. Sipas gazetës, Basha gëzon mbështetjen e heshtur të Sali Berishës.
“Të vjetrit” ish të pushtetshëm në parti dështuan ta detyronin Bashën të jepte dorëheqjen pas humbjes së thellë në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit dhe të futej në një garë të barabartë për t’u rizgjedhur. Por Basha gëzon mbështetjen e heshtur të Sali Berishës, liderit historik, autoritar në partinë ku do të vazhdojë të jetë deputet për të 6-ën legjislaturë radhazi, që nga 1992 ose për afro tri dekada deri në 2021. Vetëm pas rizgjedhjes së Bashës kryetar Berisha tha publikisht që “duhej të kishte dhënë dorëheqjen para garës”, shkruan Deutsche Welle.