Me intensifikimin e fushatës për referendumin e ardhshëm për Marrëveshje mes Maqedonisë dhe Greqisë, përforcohen edhe dezinformata të ndryshme dhe spekulime.
Një ditë pas ditës së hapur të trajnimit të forcave tokësore të SHBA-së në poligonin e armatës “Krivollak”, në rrjetet sociale u paraqitën informacione se në këtë poligon, do të përdoret municion me uranium të varfëruar, i cili është i rrezikshëm për shëndetin.
Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska menjëherë doli me përgënjeshtrim për këto informacione, duke i quajtur të rreme.
“Gënjeshtrat famëkeqe nuk janë të dobishme. Qytetarët të mos u nënshtrohen lajmeve të rreme në prag të referendumit të ardhshëm dhe zyrtarizimit të anëtarësimit në NATO”, ka shkruar Shekerinska në profilin e saj në Fejsbuk.
Me reagim doli edhe Ministria e Mbrojtjes, e cila rreptësisht i përgënjeshtroi spekulimet të cilat shpërndahen në rrjetet sociale se në poligonin Krivollak do të zhvillohet gjuajtje me bomba të cilat përmbajnë uranium të varfëruar.
“Ministria e Mbrojtjes me shumë përgjegjësi pohon se as stërvitjet dhe as trajnimet aktuale dhe të ardhshme të partnerëve tonë nga NATO në poligonin Krivollak nuk janë të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve, e as do të shfrytëzohen bomba me uranium të varfëruar”, thuhet në reagimin e MM.
Më tej theksohet se “gënjeshtrat e tilla kanë për qëllim ta nxisin mosbesimin te qytetarët në NATO dhe janë në funksion të fushatës negative për referendumin e ardhshëm”.
Në të njëjtën kohë, intensifikohen edhe spekulimet edhe në lidhje me politikën e jashtme të vendit, më konkretisht për mosmarrëveshjet në marrëdhëniet Maqedoni-Bullgari. Dojçe vele në analizën e djeshme pohon se tentativat për krijim të tensioneve mes Maqedonisë dhe Bullgarisë kanë për qëllim ta bllokojnë rrugën e Shkupit ndaj NATO-s, ndërsa në dobi të Rusisë.