Dhjetë pacientë janë operuar ose dërguar për ndërhyrje të panevojshme në disa spitale

65
fresco

Dhjetë pacientë në Maqedoninë e Veriut janë operuar ose dërguar për ndërhyrje kardiologjike dhe kardiokirurgjikale pa indikacion mjekësor. Këtë e konfirmon raporti paraprak i Komisionit të posaçëm të Ministrisë së Shëndetësisë, i prezantuar sot nga ministri Azir Aliu në një konferencë për media në Qeveri. Komisioni u formua në fund të gushtit, pas deklaratave të kardiokirurgut dr. Sashko Kedev, i cili paralajmëroi për ndërhyrje të panevojshme në sektorin privat shëndetësor.

Sipas ministrit Aliu, Komisioni ka pranuar gjithsej 25 raste. Gjashtë prej tyre janë përcjellë në Inspektoratin Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, pasi nuk hynin në kompetencë të grupit ekspert. Nga 19 rastet e analizuara, në dhjetë është konstatuar se pacientët janë dërguar ose operuar pa bazë mjekësore. Aliu theksoi se procesi i verifikimit vazhdon dhe se priten të dhëna të tjera.

Kryetari i Komisionit, dr. Zharko Hristovski, sqaroi se raporti aktual është vetëm paraprak dhe se faza e dytë e hetimit do të realizohet me përfshirjen e ekspertëve ndërkombëtarë. Sipas tij, ekipi do t’i vizitojë të gjitha institucionet që kryejnë ndërhyrje kardiovaskulare në vend, me qëllim verifikimin e procedurave, indikacioneve dhe vendimmarrjes klinike. Ai theksoi se në këtë fazë nuk është e lejueshme të publikohen emrat e institucioneve të përfshira apo detaje për gjendjen e pacientëve, për arsye etike dhe ligjore.

Komisioni përbëhet nga specialistë të njohur të kardiokirurgjisë, kardiologjisë dhe kirurgjisë torakale e vaskulare, si dhe mjekë nga spitalet klinike të Bitolës dhe Tetovës, përfaqësues të FZOM-it, juristë dhe ekspertë të Ministrisë së Shëndetësisë. Në gusht, Ministria u kërkoi të gjitha spitaleve publike të dorëzojnë të dhënat për të gjitha procedurat kardiologjike dhe kardiokirurgjikale të kryera nga janari 2022 deri në gusht 2025.

Hetimi nisi pas intervistës së dr. Kadev në Kanal 77, ku ai deklaroi se disa spitale private kryejnë ndërhyrje të panevojshme – përfshirë stentime dhe operacione – vetëm për arsye financiare. Ai nuk përmendi emra institucionesh, por pas deklaratës, spitali “Acibadem Sistina” kërkoi prej tij të sqarojë publikisht se për cilën institucioni bëhet fjalë, duke paralajmëruar padi për shpifje nëse akuzat mbeten të përgjithshme. Më 20 gusht, Kadev njoftoi se ka marrë paralajmërim për padi dhe deklaroi se ai e mirëpret procesin gjyqësor, sepse beson se do të zbardhë gjendjen reale në sektorin privat shëndetësor.

“Pjesa më e madhe e punës sime është t’i shmang pacientët nga ndërhyrjet e panevojshme. Po përballemi me praktika të dëmshme në disa qendra private të orientuara nga profiti. Kemi prova se disa prej tyre duhej të mbylleshin nga pikëpamja mjekësore”, tha Kedev.

Raporti final pritet të publikohet pasi të përfundojë faza e dytë e kontrollit, në të cilën do të përfshihen ekspertë ndërkombëtarë që do të japin vlerësimin përfundimtar për sektorin publik dhe privat të kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë në vend.

Comments