Dhjetë vatra zjarri brenda 24 orëve

178

Gjatë 24 orëve të fundit kanë shpërthyer 10 vatra zjarri në pyje në Vlorë, Shkodër, Durrës, Fier dhe Berat, duke shkaktuar dëme materiale, njoftojnë Emergjencat Civile.

Për fikjen e zjarrit në të gjithë operacionet janë angazhuar mbi 50 forca zjarrfikëse, 14 automjete, 20 forca të pyjores si dhe banorët e zonës.

Në fshatin Bogovë, Çorovodë ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Për shkak të terrenit të vështirë malor zjarrfikëset kanë punuar me mjete rrethanore për shuarjen e zjarrit.

Në ndihmë për shuarjen e tij shkuan dhe banorë të zonës. Për pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me shkurre dhe pisha.

Sot në mëngjes vatra e zjarrit është riaktivizuar përsëri dhe forcat zjarrfikëse po punojnë në vendngjarje dhe sipas informacioneve të fundit zjarri është vënë nën kontroll.

Në fshatin Gjorgos, Fier ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe pisha. Forcat zjarrfikëse për shkak të terrenit të thyer për shuarjen e zjarrit kanë përdorur mjete rrethanore.

Në ndihmë të tyre shkuan edhe 10 forca nga Drejtoria Pyjore. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 4 ha me shkurre, ferra dhe pisha.
Në fshatin Zhamë, Lushnje ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe ullinj. Në ndihmë të forcave zjarrfikëse u angazhuan dhe banorë të zonës si dhe 8 forca nga Drejtoria Pyjore Lushnje. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe 3 ha shkurre, ferra dhe disa ullinj të rinj.

Në lagjen “29 Marsi”, Fier ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, si dhe rrezikohej qendra e banuar. Shërbimi vendor i zjarrfikësve ka shkuar në vendngjarje dhe ka shuar zjarrin plotësisht. Për pasojë u dogj një sipërfaqe prej 2 dynymësh me shkurre dhe ferra.

Në fshatin Zhupan, Fier ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe ullinj. Me gjithë ndërhyrjen u dogj një sipërfaqe 2 dynym shkurre, ferra dhe pjesërisht 10 rrënjë ullinj të rinj.

Ndërsa, në fshatin Armen, Selenicë ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe ullinj. Dy automjete zjarrfikëse dhe 15 forca u angazhuan për shuarjen e flakëve. Pas një operacioni që zgjati rreth 3 orë zjarri u shua plotësisht, por u dogj 1 hektarë me shkurre ferra dhe disa ullinj.

Në fshatin Zvërnec, Vlorë flakët përfshinë një sipërfaqe me shkurre dhe pisha, çka solli djegien e një sipërfaqe rreth 4 dynym me shkurre dhe pisha. Në fshatin Gruemirë, Malësi e Madhe ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, por rrezikohej edhe qendra e banuar.

Zjarrfikëset e Malësisë së Madhe fikën zjarrin brenda pak minutash duke mos lejuar përhapjen e flakëve në banesa. Si pasojë u dogj një sipërfaqe prej 3 dynymësh me shkurre dhe ferra.

Në fshatin Koplik i Sipërm, Malësi e Madhe ra zjarr dhe u dogj një sipërfaqe rreth 1 dynym me bimë medicinale.

Në Gjiri i Lalzit, në afërsi të stacionit të trenit, ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Pas një operacioni që zgjati rreth një orë zjarri u fik, por u dogj rreth 1 dynym me shkurre dhe ferra.

Comments