Dhjetëra intervenime të zjarrfikësve në Kumanovë gjatë ditës së djeshme
Era e fuqishme që e përfshiu dje rajonin e Kumanovës shkaktoi disa zjarre si rrjedhojë e lidhjeve të shkurtra të telave elektrikë…
Era e fuqishme që e përfshiu dje rajonin e Kumanovës shkaktoi disa zjarre si rrjedhojë e lidhjeve të shkurtra të telave elektrikë në rajonin më të gjerë në Kumanovë, informojnë nga Njësiti Territorial Zjarrfikës i Kumanovës.
Në orën 14:00, ka marrë zjarr një objekt në fshatin Nagoriçani i Ri, ndërsa një zjarr tjetër është shuar në fshatin Zheglan ku është djegur një objekt shtesë dhe një traktor. Në orët e pasdites ekipet zjarrfikëse me orë të tëra kanë shuar zjarre në tre lokacione në lagjet e Kumanovës dhe nëpër fshatra ku është djegur bari i thatë, kashtë dhe bimësi e ulët në lagjen “Ajdushka Çeshma”, Karposh, në fshatin Koince dhe në “Jane Sandanski.
Zjarrfikësit kanë intervenuar sërish në Nagoriçan të Ri ku së bashku me kolegët e Nagoriçanit të Vjetër arritën që të shuajnë zjarrin i cili tashmë kishte përfshirë oborret e disa vilave. Është djegur bar i thatë dhe pika e pagesës Ramanovc në autostradën Kumanovë-Shkup.
Era e fortë ka shkulur edhe tre pemë në qendrën e qytetit, në kopshtin në lagjen “Goce Delçev” dhe në shkollën “11 Tetori”. Nuk ka të lënduar por është shkaktuar dëm material.
Ekipet e “Pastërti dhe Gjelbërim” i kanë hequr pemët e shkulura si dhe degët e rrëzuara nëpër rrugët në Kumanovë.