Dhuna në familje godet ekonominë: 80% e grave ndalohen të punojnë nga partneri

60

Tetëdhjetë përqind e grave janë penguar të punojnë nga partneri i tyre i dhunshëm, dhe 42 përqind e grave kanë humbur vendin e punës si pasojë e drejtpërdrejtë e dhunës. Këto janë të dhënat nga Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe barazi të Grave (ESE), duke shënuar fillimin e 16 ditëve ndërkombëtare të aktivizmit kundër dhunës ndaj grave, transmeton Meta.mk.

Gratë përballen me pasoja të rënda ekonomike për shkak të dhunës, që do të thotë se ato e nisin tranzicionin drejt një jete të re me bazë ekonomike të dëmtuar rëndë. Ato kanë gjithashtu shpenzime të larta shëndetësore si pasojë e dhunës me 48% e shpenzimeve janë për ilaçe, 21% për hospitalizime, dhe 19% për mjekun amë, dhe ndihmën e shpejtë.

Këto shpenzime shpesh paguhen privatisht, sepse gratë kanë qasje të kufizuar në shërbime publike ose kanë nevojë për mbështetje të menjëhershme të cilën sistemi nuk e ofron.

Viktimat e dhunës përballen edhe me shpenzime për strehim dhe mbijetesë. Pas largimit nga shtëpia, ato duhet urgjentisht të gjejnë vendbanim të ri që nënkupton qira, fatura, mobilim bazë, transport dhe shpenzime të përditshme. Mundësitë aktuale për mbështetje financiare dhe fuqizim ekonomik nga shteti janë të pamjaftueshme dhe të papërshtatshme, ndaj gratë shpesh mbeten pa një zgjidhje reale nga kriza ekonomike që u shkakton dhuna. Mbi 90% e grave marrin kredi ose huazime nga të afërmit dhe miqtë për të mbijetuar gjatë muajve të parë pas dhunës.

Analiza e shoqatës tregon se sistemi ekzistues për caktimin dhe mbledhjen e pensionit ushqimor i lë gratë dhe fëmijët pa mbrojtje reale. Në mbi 50% të rasteve, pensioni ushqimor i caktuar nga gjykata nuk i mbulon shpenzimet reale për fëmijën. Shtatëdhjetë përqind e grave përballen me pagesa të vonuara, të pjesshme ose fare të papaguara.

Gratë rrallë i përdorin mekanizmat ligjorë për mbledhjen e detyruar të pensionit, sepse procedurat janë të gjata, joefikase dhe të kushtueshme dhe shpesh për shkak të frikës nga hakmarrja e dhunuesit. Kjo nënkupton se në shumicën e familjeve, gjatë kësaj periudhe tranzicioni, nëna e siguron e vetme jetesën e fëmijëve, pa mbështetje nga shteti ose nga prindi tjetër.

“Që gratë të mund t’i japin fund dhunës në mënyrë të qëndrueshme dhe të sigurojnë jetë të sigurt dhe stabile për veten dhe fëmijët e tyre, nevojiten zgjidhje sistemore që përfshijnë mbështetje financiare në 6–12 muajt e parë pas largimit nga bashkësia e dhunshme, për të mbuluar shpenzimet bazë dhe për të stabilizuar jetën”, thanë nga shoqata për Emancipim, solidaritet dhe barazi të grave.

Ato kanë nevojë për mundësi punësimi dhe rikualifikimi, në bashkëpunim me institucionet dhe sektorin privat; një mekanizëm efikas për mbledhjen e pensionit ushqimor që garanton se fëmijët e marrin mbështetjen që u takon; mbështetje të koordinuar institucionale për përballimin e pasojave ekonomike të dhunës; dhe investime më të mëdha në fuqizimin ekonomik të grave përmes ndërmarrjeve sociale, trajnimeve, programeve lokale dhe përfshirjes së grave që janë jashtë tregut të punës.

ESE i bën thirrje shtetit që të krijojë urgjentisht një sistem mbështetjeje financiare për gratë në periudhën e tranzicionit pas largimit nga një komunitet i dhunshëm, mbështetje që do të mundësojë mbulimin e kostove të strehimit, nevojave themelore, shërbimeve shëndetësore dhe shpenzimeve të përditshme derisa të sigurohen të ardhura të qëndrueshme.

Shoqata për Emancipim, solidaritet dhe barazi të grave, i bën thirrje shtetit që të krijojë një sistem të mbështetjes financiare për gratë në periudhën e tranzicionit pas largimit nga komunitet i dhunshme, mbështetje që do të mundësojë mbulimin e shpenzimeve të strehimit, nevojave bazë, shërbimeve shëndetësore dhe shpenzimeve të përditshme derisa të sigurohen të ardhura të qëndrueshme.

Comments