“Dhuna në familje s’është çështje personale” – Vellkovski kërkon veprim të koordinuar

62

Zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski mori pjesë në eventin e organizuar me rastin e fillimit të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore me titull “Nga raportimi i dhunës te parandalimi i femicidit – përgjigje sistemike” nga Organizata e Sigurisë dhe e Bashkëpunimit në Evropë (OSBE) në vend.

Në fjalimin e tij, Vellkovski iu referua rëndësisë së temës, e cila, pavarësisht progresit, ende kërkon vëmendje, përkushtim dhe luftë të pandalshme.

“Dhuna ndaj grave paraqet shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave të njeriut, andaj secili prej nesh ka përgjegjësinë të veprojë. Dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje shfaqen në shumë forma të ndryshme dhe janë të pranishme në të gjitha shoqëritë – pa përjashtim. Ndonjëherë janë të dukshme, ndonjëherë të fshehura pas mureve të heshtjes, por gjithmonë të pranishme. Prandaj, heshtja nuk duhet të jetë opsion. Detyrimi ynë është ta njohim dhunën, të reagojmë dhe të veprojmë”- theksoi Vellkovski.

Ai gjithashtu iu referua edhe femicidit, si hallkë e fundit dhe më e tmerrshme në zinxhirin e dhunës, që fillon heshtazi – me fyerje, nënçmim, kontroll, kërcënime – e që kalon në maltretim fizik, lëndime të rënda dhe, për fat të keq, shumë shpesh përfundon me vdekje.

“Ky problem nuk është çështje private e një familjeje. Është problem shoqëror, kulturor dhe sistemik, i cili kërkon veprim të koordinuar, profesional dhe afatgjatë. Vendi ynë tashmë ka ndërtuar mekanizëm të qëndrueshëm për mbrojtje nga dhuna, dhe na gëzon fakti që ndërgjegjësimi publik po zgjohet gjithnjë e më shumë” – shtoi tutje Vellkovski.

Ai informoi se Ministria po punon për Strategjinë Kombëtare Tetëvjeçare për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje, me plan akcional të detajuar të zbatimit të masave.

“Njohuritë, mjetet dhe mekanizmat ligjorë i kemi. Por vetëm së bashku – institucionet, organizatat joqeveritare, vetëqeverisjet lokale, personat profesionalë dhe të gjithë partnerët – mund të krijojmë shoqëri, në të cilën gratë do të jenë të sigurta”- potencoi Vellkovski.

Së fundmi, njoftoi se Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, si dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë, mbeten plotësisht të përkushtuara në sigurimin e mbrojtjes së shpejtë dhe efikase, në mbështetjen e plotë të viktimave dhe në parandalimin efikas.

Comments