Dibër, Muharrem Rama fiton zgjedhjet bashkiake, mbi 4 mijë vota diferencë me Sherefedin Shehun
UPDATE – Kur mbeten dhe 5 kuti votimi për t’u numëruar nga 118, kandidati socialist i Dibrës ka kaluar në avantazh me 4058 vota kundrejt kandidatit demokrat Sherefedin Shehu. Pas 113 kutive të numëruara, Rama numëron 17827 vota në favor të tij, kurse Shehu 13769.
Me këtë rezultat, Muharrem Rama është fitues i zgjedhjeve në Dibër pasi në 5 kutitë e mbetura, ku secila ka rreth 100 fletë votimi, nuk ndikojnë në prishjen e rezultatit që është në avantazh të kandidatit socialist.
Në orën 16:45, deputeti demokrat Aldo Bumçi uroi Muharrem Ramën për fitoren në Dibër.
Në orën 14:10, Muharem Rama ka thelluar diferencën me Sherefedin Shehun në përfundim të numërimit të 67 kutive: Ai ka marrë 3050 vota më shumë. Rama ka 12 316 vota dhe Shehu, 9266.
Në orën 13:34 përfundoi numërimi i kutisë nr.61 dhe socialisti Muharem Rama kryesoi garën për kryebashkiak të Dibrës me 2812 vota më shumë. Ai mori 11 331 vota, ndërsa Sherefedin Shehu i PD, 8519 vota.
Në orën 13:20, kandidati socialist Muharem Rama rezulton me 2662 vota më shumë se kandidati demokrat Sherefedin Shehu. Ky është rezultati pas numërimit të kutisë nr.60 nga 118 në total. Si nr. votash, Muharem Rama ka 10968 vota pro tij dhe Sherefedin Shehu, 8306 vota.
Në 12:30 kryetari i KZAZ Dibër, Fadil Begu, ka kërkuar ndërprerjen e procesit të numërimit për shkak të pranisë së madhe të personave pa autorizim brenda sallës. Policia ka kërkuar dokumentet nga të pranishmit e ulur në sallë me vëzhguesit duke kërkuar që ata që nuk kishin ndonjë detyrë në proces të dilnin jashtë.
Në 12:00, një orë pas rinisjes së numërimit të votave të dy kandidatëve për kryebashkiak në Dibër, rezulton se kandidati i majtë Muharem Rama ka 2211 vota më shumë se rivali i tij demokrat Sherefedin Shehu.
Janë numëruar 16527 fletë, prej nga ku Rama ka marrë 9 369 vota, kurse Shehu 7 158. Janë përfunduar 52 kuti votimi nga 118 në total.
Në orën 4:40 të mëngjesit, KZAZ vendosi që numëruesit të bëjnë një pushim pasi numëruan live, fletët e 44 qendrave të votimit gjatë natës dhe ku socialisti Muharem Rama rezultoi me 7 373 vota kundrej demokratit Sherefedin Shehu me 5 817 vota. Pra, Rama e hapi votimin sot me 1556 vota më shumë.