Didier Chabert ambasadori i ri i Francës në Kosovë



Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pranuar letrat kredenciale edhe të ambasadorit të ri të Francës në Kosovë, Didier Chabert, njofton kumtesa presidenciale, transmeton Koha.net.
Pas pranimit të kredencialeve, duke i uruar mirëseardhje në Kosovë, Thaçi u shpreh i kënaqur me mundësinë që bashkë me ambasadorin Chabert do të vazhdojnë punën për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy shteteve.
Kurse, ambasadori Chabert tha se bashkëpunimi ndërshtetëror mund të zgjerohet në shumë sektorë.
“Franca ka marrëdhënie të veçantë me Kosovën. Do të zgjerojmë bashkëpunimin në ekonomi, kulturë e arsim, por edhe me FSK-në”, ka thënë ambasadori Chabert.
Thaçi theksoi se populli dhe institucionet e Kosovës i janë mirënjohës Francës për rolin e veçantë që ka luajtur në vendin tonë dhe së bashku do të punohet për forcimin e paqes dhe stabilitetit në tërë rajonin.
“Do të kultivojmë këtë marrëdhënie të veçantë. Do të punojmë së bashku për paqen dhe stabilitetin në tërë rajonin”, u shpreh presidenti Thaçi.