Në bazë të proceseve reformuese dhe në bazë të zgjidhjes së kontesteve bilaterale këtë vit kemi rast shumë të fuqishëm. Është shumë e vështirë ndonjë vend i BE-së të thotë “jo” për tregimin e Maqedonisë në vitin 2019, kjo është situata aktuale, deklaroi sot shefi i diplomacisë Nikolla Dimitrov në lidhje me atë nëse vendi do të marrë datë për fillimin e negociatave në qershor të këtij viti.
Sipas tij, ekziston një konfuzion i vogël me leximin e porosive nga Samiti i Berlinit.
“Procesi është gjithmonë në tre hapa – Komisioni Evropian e publikon raportin, shtetet e lexojnë, e analizojnë, e krahasojnë atë me informacionin e veta, e shqyrtojnë në kuadër të Këshillit të çështjeve të përgjithshme dhe më pas marrin vendim politik në Këshillin e BE-së”, tha Dimitrov .
Ai në manifestimin e 50 vjetorit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, u përqendrua në historinë e Ministrisë, e cila filloi si Byro për marrëdhënieve me vendet e huaja më 29 prill të vitit 1969, ndërsa më pas u rrit në Sekretariatin për marrëdhënie me vendet e huaja.
Lidhur me ligjin e ri për MPJ-në, Dimitrov tha se janë në fazën e përgatitjeve dhe se ai dëshiron të ndryshojë shumë gjëra, para së gjithash Ministria të kursehet nga ndikimet politike ndërsa qëllimi është të krijojë sistem në të cilin do të vlerësohet aftësia e një personi të caktuar për ushtrimin e një funksioni të caktuar.
Para të pranishmëve në shënimin e 50 vjetorit të diplomacisë së Maqedonisë fjalim pati edhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Mila Carovska, duke potencuar se jubileu po ndodh në një periudhë jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin tonë dhe shton se ministri Dimitrov ka bërë hap të jashtëzakonshëm lidhur me barazinë gjinore.
Në shënimin ishte edhe kryeministri Zoran Zaev i cili potencoi se në një vit të rëndësishëm për integrimet euroatlantike të vendit shënohet 50 vjetori i diplomacisë së Maqedonisë.
Qëllimi në këtë moment, tha Zaev, është të veprojmë në mënyrë aktive dhe konstruktive në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të promovojë vendin si një nga shtetet më të besueshme dhe të rëndësishëm në të gjitha organizatat ndërkombëtare.
Potencoi se për momentin vendi është në të njëjtën tryezë me vendet tjera anëtare të NATO-s, ndërsa është edhe një hap para pragut të BE-së. Porositi se duhet të krijojmë politikë edhe më të suksesshme ndërkombëtare e cila do të bazohet në profesionalizëm, edukim të vazhdueshëm dhe përvojë, por theksi do të vendoset në zhvillimin e diplomacisë kulturore dhe publike. .