Diplomati francez më 1949: Shqiptarët besojnë vetëm tek Amerika

278

Mark Brunga

Më 28 qershor 1949, ish-ambasadori francez në Tiranë, në periudhën gusht 1946-dhjetor 1948, Gi Anri Viktor Menan (Guy Henri Victor Menant, 1891-1967) ka qenë në Uashington “për disa ditë gjatë rrugës në postin e tij të ri në Panama”.

Një dokument konfidencial i hartuar nga zëvendësdrejtori i Zyrës së Çështjeve Evropiane në Departamentin amerikan të Shtetit Luelin Tompson (Lleëellyn E. Thompson, 1904-1972) thotë se Menan-i kishte shkuar në takim me kërkesën amerikane “për të na dhënë vlerësime të drejtpërdrejta dhe përshtypjet e tij mbi situatën në Shqipëri, ku ka shërbyer deri në kohët e fundit si Ministër francez”.

Tre muaj më parë, më 29 prill, 1949, ambasadori amerikan në Paris, në përgjigje të një telegrami të 27 prillit 1949, shkruan se “Ministria e Punëve të Jashtme e Francës e ka të kufizuar materialin e detajuar apo statistikor për Shqipërinë dhe mendon se ajo po shndërrohet nga pikëpamja strategjike në një avanpost i rëndësishëm sovjetik mes Jugosllavisë dhe Greqisë, me kontroll të plotë politik, ekonomik dhe ushtarak sovjetik të vendit”.

Prandaj dhe Departamenti amerikan i Shtetit kërkonte të bisedonte personalisht me ministrin e Francës në Tiranë, i cili, 6 muaj më parë (dhjetor 1948), ishte larguar nga Shqipëria.

Sipas dokumentit amerikan, Menan “paralajmëroi se duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm, pasi situata ishte edhe delikate dhe komplekse. Ai mendonte se qeveria shqiptare mund të dëshirojë të rivendosë marrëdhënie diplomatike me ne duke shpresuar të marrë ndihma ushqimore, por tha se supozon që ne nuk do ta marrim në konsideratë një hap të tillë këtë herë”.

mardheniet shqiperi france

JUGOSLLAVËT, ÇFARË BRUTALITETI

Është interesante se ndonëse francez, ambasadori Menan nuk ka konsideratë për sjelljen e jugosllavëve: “shqiptarët ishin tejet të pakënaqur nga administrimi jugosllav i punëve të tyre për shkak të mënyrës së pashpirt dhe brutale, me të cilën ishte kryer ky administrim. Edhe pse të paditur dhe të pakualifikuar, shqiptarët janë popull krenar dhe jugosllavët kanë qenë shumë intolerantë ndaj ndjeshmërive të tyre. Ai kishte përshtypjen se mënyra brutale me të cilën shqiptarët kanë mbështetur Kominform-in kundër Titos ishte pasqyrim i kësaj ndjesie si dhe ka më tepër mundësi që ata kishin vepruar pa pritur ndonjë direktivë nga Moska”.

NGA SHIU NË BRESHËR

Menan-i u tha amerikanëve se “shqiptarët kanë rënë nga shiu në breshër dhe se situata e brendshme tashmë ishte katastrofike. Njerëzit vuanin tmerrësisht nga mungesa e mallrave të të gjitha llojeve. Regjimi nuk ka qenë asnjëherë në të vërtetë popullor dhe tani kundër tij u përfshinë pothuajse të gjithë ata që nuk u lidhën menjëherë me regjimin. Ai tha se regjimi mbahet kryesisht nga policia sekrete, e cila nuk ishte keq me personel, të paktën, relativisht, dhe prandaj është e gatshme të mbështesë regjimin.

Besnikëria e ushtrisë ishte më tepër në dyshim, por kontrollohej rreptësisht si nga policia ashtu dhe nga rusët. Kur ai ,ministri francez, kishte arritur për herë të parë në Shqipëri ushtria ishte në gjendje më të rrënuar, shumë prej ushtarëve nuk kishin uniforma dhe herë-herë madje as këpucë. Rusët i kanë veshur e mbathur dhe udhëhiqen tashmë nga oficerë rusë dhe kanë paraqitje të mirë”.

VARREZAT USHTARAKE

Ministri francez është tejet i pakënaqur me regjimin, ndonëse Franca ishte shteti i parë perëndimor që ka njohur qeverinë komuniste të Enver Hoxhës. Me sa duket acarimi i diplomatit ka të bëjë dhe me faktin se “nuk u lejua të udhëtonte kohët e fundit në Shqipëri si dhe iu refuzua edhe leja për të vënë një kurorë në varrezat ushtarake franceze jo shumë larg nga Tirana”. Menan-i ankohet se “ishte vazhdimisht nën mbikëqyrje sikurse të gjithë anëtarët e qeverisë shqiptare. Ai asnjëherë nuk mundi të bisedonte vetëm për vetëm me një anëtar të qeverisë”.

Diplomati jashte realitetit:SHQIPERIA MES GREQISË DHE JUGOSLLAVISË

Por inati me Enver Hoxhën e shtyn Menan-in të deklarojë dhe marrëzira. Ai mendonte se një shumicë e madhe njerëzish do ta mirëpriste një ndarje të Shqipërisë midis Greqisë dhe Jugosllavisë (?!) që kur e kuptuan se vendi nuk mund të qëndrojë me këmbët e veta dhe se gjithçka do të ishte më e mirë se në situatën e tanishme. Diplomati francez është tejet i pabesueshëm kur u thotë amerikanëve se ishte një kryetar fisi me rreth 5 000 pasues, të cilët regjimi i mbante brenda vijës në një farë mase dhe duke u dhënë përditë si racion një faqore me raki! Duke iu përgjigjur një pyetjeje ai tha se shumica e fiseve kishin armë.

Dokumenti: Shqiptarët – krenarë, por jugosllavët – tejet intolerantë

Memorandum bisede, nga zëvendësdrejtori i Zyrës së Çështjeve Evropiane (Thompson)
Konfidencial
Uashington, 28 qershor 1949
Të pranishëm: Gi Menan (Guy Menant), ministër [ambasador] i Francës në Panama
Arman Berar (Armand Berard), këshilltar, ambasada e Francës në SHBA
Luelin Tompson (Lleëellyn E. Thompson), EUR
Tom Betts
Ztr. Mek-Kergër (Mçarger)

Z. Menan, i cili është në këtë vend ,SHBA, për disa ditë gjatë rrugës në postin e tij të ri në Panama, erdhi me kërkesën tonë për të na dhënë vlerësime të drejtpërdrejta dhe përshtypjet e tij mbi situatën në Shqipëri, ku ka shërbyer deri në kohët e fundit si Ministër francez.

Z. Menan filloi duke thënë se ndonëse nuk do të kishte ndërmend të kritikonte vendimin tonë për të mos mbajtur mision në Shqipëri, i vinte më shumë keq që nuk ishim të përfaqësuar atje veçanërisht gjatë vitit të kaluar.

Ai theksoi rëndësinë e Shqipërisë si nga pikëpamja strategjike ashtu dhe nga ajo politike. Ai tha se populli shqiptar shpresat i ka varur tek Amerika më tepër se te çdo vend tjetër dhe tha se pavarësisht nga përpjekjet e regjimit aktual, shqiptarët ishin shumë të prirur për afrim me Perëndimin dhe SHBA-në në veçanti. Sipas mendimit të tij, Shqipëria nuk ishte në gjendje të jetonte e pavarur pa mbështetjen e fuqishme dhe drejtimin virtual nga një shtet tjetër. Ai theksoi se kështu ka qenë gjithmonë edhe në të kaluarën.

Ai tha se shqiptarët ishin tejet të pakënaqur nga administrimi jugosllav i punëve të tyre për shkak të mënyrës së pashpirt dhe brutale, me të cilën ishte kryer ky administrim. Edhe pse të paditur dhe të pakualifikuar, shqiptarët janë popull krenar dhe jugosllavët kanë qenë shumë intolerantë ndaj ndjeshmërive të tyre. Ai kishte përshtypjen se mënyra brutale me të cilën shqiptarët kanë mbështetur Kominform-in kundër Titos ishte pasqyrim i kësaj ndjesie si dhe ka më tepër mundësi që ata kishin vepruar pa pritur ndonjë direktivë nga Moska.

Ministri e përshkroi situatën aktuale duke thënë se shqiptarët kanë rënë nga shiu në breshër dhe se situata e brendshme tashmë ishte katastrofike. Njerëzit vuanin tmerrësisht nga mungesa e mallrave të të gjitha llojeve. Regjimi nuk ka qenë asnjëherë në të vërtetë popullor dhe tani kundër tij u përfshinë pothuajse të gjithë ata që nuk u lidhën menjëherë me regjimin.

Ai tha se regjimi mbahet kryesisht nga policia sekrete, e cila nuk ishte keq me personel, të paktën, relativisht, dhe prandaj është e gatshme të mbështesë regjimin. Besnikëria e ushtrisë ishte më tepër në dyshim, por kontrollohej rreptësisht si nga policia ashtu dhe nga rusët. Kur ai ,ministri francez, kishte arritur për herë të parë në Shqipëri ushtria ishte në gjendje më të rrënuar, shumë prej ushtarëve nuk kishin uniforma dhe herë-herë madje as këpucë. Rusët i kanë veshur e mbathur dhe udhëhiqen tashmë nga oficerë rusë dhe kanë paraqitje të mirë.

Ndonëse ministri kishte përshtypjen se Amerika ka pasur rol më të rëndësishëm për të luajtur, ai paralajmëroi se duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm, pasi situata ishte edhe delikate dhe komplekse. Ai mendonte se qeveria shqiptare mund të dëshirojë të rivendosë marrëdhënie diplomatike me ne duke shpresuar të marrë ndihma ushqimore, por tha se supozon që ne nuk do ta marrim në konsideratë një hap të tillë këtë herë.

Thashë se ndonëse ka pasur disa indikacione se shqiptarët po mendonin kështu, e pamë se nuk mund të merrnim në konsideratë një çështje të tillë këtë kohë për shkak të situatës greke, përveç arsyeve të tjera. Pyeta se cili do të ishte reagimi i shqiptarëve ndaj rivendosjes së marrëdhënieve. A do ta interpretonin sikur gjoja ne po mbështesim regjimin e sotëm dhe se ata nuk do të kishin më shpresë ta hiqnin qafe.

Ministri u përgjigj se shqiptarët do të gëzoheshin së tepërmi dhe, ndërsa ra dakord që situata greke do ta parandalonte një hap të tillë tani, kishte përshtypjen që nëse këto ishin larg, gjithsesi do të ishte e rëndësishme që ne të bashkëngjisim kushtet për njohje, të cilat do të na mundësonin t’i bënim të qartë popullit shqiptar se ishte regjimi, i cili kishte lëshuar pe dhe jo Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministri tha se nuk u lejua të udhëtonte kohët e fundit në Shqipëri si dhe iu refuzua edhe leja për të vënë një kurorë në varrezat ushtarake franceze jo shumë larg nga Tirana. Ai tha se arsyeja për këtë ishte ndihma që u jepej gueriljeve greke, fakt që ai e kishte vënë re në udhëtimet e tij të mëparshme. Ai tha se ishte vazhdimisht nën mbikëqyrje sikurse të gjithë anëtarët e qeverisë shqiptare.

Ai asnjëherë nuk mundi të bisedonte vetëm për vetëm me një anëtar të qeverisë. Ndërsa ishte i mendimit se kurrë nuk do të jetë e mundur për Perëndimin të bëjë biznes me Hoxhën, ai besonte se përfundimisht do ta pasonte zëvendëspresidenti dhe që ishte një njeri që nuk ka qenë i kompromentuar aq sa do të na e bënte të pamundur biznesin me të. Duke iu referuar Hoxhës ai përmendi numrin e njerëzve të akuzuar dhe dënuar si agjentë tanë dhe shumë akuza të tjera të rreme kundër nesh.

Kur e pyeta se çfarë përshtypje kishte për opinionin e vërtetë të popullit shqiptar ndaj jugosllavëve dhe grekëve, ministri u përgjigj se kjo varionte në krahina të ndryshme të vendit. Ai mendonte se një shumicë e madhe njerëzish do ta mirëpriste një ndarje të Shqipërisë midis Greqisë dhe Jugosllavisë që kur e kuptuan se vendi nuk mund të qëndrojë me këmbët e veta dhe se gjithçka do të ishte më e mirë se në situatën e tanishme. Ai tha se shumica e njerëzve ishin fort individualistë dhe ishin po ashtu në opozitë të palëkundur ndaj qeverisë.

Ai përmendi një kryetar fisi që kishte rreth 5 000 pasues, të cilët regjimi i mbante brenda vijës në një farë mase dhe duke u dhënë përditë si racion një faqore me raki. Duke iu përgjigjur një pyetjeje ai tha se shumica e fiseve kishin armë.
Iu referova një raporti për një numër të konsiderueshëm shqiptarësh që kanë kaluar kufirin jugosllav për të kërkuar azil dhe në veçanti një raporti që bën të ditur se praktikisht një fshat i tërë kishte kaluar kufirin. Ministri mendonte se kjo nuk ka gjasa të ketë ndodhur qëkur qeveria kishte krijuar një klon përgjatë kufirit, shumë e vështirë për t’u kapërcyer.

Lidhur me problemin grek Ministri ishte i mendimit që do të kishte qenë fatale nëse komunistët do të lejoheshin ndonjëherë të riktheheshin në pushtet në Greqi në mënyrë legale. Komunistët kishin udhëheqje dhe disiplinë të fortë dhe do të shfrytëzonin dobësinë e politikanit mediokër grek dhe do të merrnin shpejt kontrollin e qeverisë.

Kush është kush Gi Anri Viktor Menan (1891-1967)

Gi Anri Viktor Menan (Guy Henri Victor Menant, 1891-1967) ka qenë politikan dhe diplomat francez. Veteran i luftës 1914-1918. Mori pjesë aktivisht në lëvizjet sociale dhe pacifiste. Deputet në vitet 1932-1936. Në gusht 1943, shefi i Zyrës së Komisionerit të Punëve të Brendshme të Komisionit francez të Çlirimit Kombëtar. Pas luftës, Ministër Fuqiplotë i Andorës; gusht 1946-dhjetor 1948 ambasador në Shqipëri; nga prilli 1949 ambasador në Panama.

Arman Berar (1904-1989)

Arman Berar (në mes) në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Arman Berar (Armand Bérard, 1904-1989). Për mbi 40 vjet mbajti poste diplomatike në shumë vende të botës. Ka qenë këshilltar i ambasadës franceze në Uashington deri në vitin 1955, pastaj ambasador në Japoni, në Romë, dy herë përfaqësues në OKB. Ka botuar 6 vëllime të veprës “Një ambasador kujton” (“Në kohën e rrezikut gjerman”, “Uashingtoni dhe Boni”; “OKB-ja Po ose jo. 1959-1970”, “Një ambasadë në Japoni”, “Pesë vjet në Pallatin e Farnese”).

Luelin Tompson (1904-1972)

Luelin Tompson (Lleëellyn E. Thompson, 1904-1972). Diplomat amerikan. Ka shërbyer në Sri Lanka, Austri, Britani dhe për një periudhë të gjatë në Bashkimin Sovjetik, ku gjatë qëndrimit të tij pa disa nga evenimentet më të shënuara të Luftës së Ftohtë. Në vitet 1946-1950 ka drejtuar degën e Çështjeve të Evropës Lindore, pastaj zëvendës-drejtor i zyrës së Çështjeve Evropiane dhe zëvendës-ndihmës-sekretar i Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane./shqiptarja.com/

Comments