DISA “PIKA” PËR KUMANOVËN “NESËR”!

402
fresco

Shkruan Sevdail Demiri

Afati i fundit për kandidaturat e zgjedhjeve lokale po afrohet, kurse partitë politike ende luajnë me emrat e kandidatëve, të cilët në kushte të një demokracie funksionale, do të duhej të diheshin më së paku gjashtë muaj më herët!
Këto partitë tona, leje që nuk e dinë se me kë garojnë, por as me çka garojnë! Shumica e tyre hyjnë në zgjedhje pa program real dhe pa koncept se çka konkretisht do të bëjnë pas zgjedhjeve!
Personalisht, (duke mos pasur asnjë grimcë interesimi që të jem pjesë e çfarëdolloj gare politike), me dashamirësinë më të madhe, po u kërkoj të gjitha forcave politike shqiptare në Kumanovë, që veç tjerash, të ofrojnë dhe realizojnë këto pika:
1. Themelimi i institucionit nacional “Qendra Kulturore Rinore”, në objektin e ish-ZIK-ut (tani ku gjenden shkollat e mesme), ose ndërtimi i një objekti të ri për këtë qëllim nga themeli. (Projekti i gatshëm dhe i elaboruar më herët, ndodhet në Komunën e Kumanovës, në Ministrinë e Kulturës dhe në Qeveri);
2. Dislokimi i shkollave të Gjimnazit dhe Teknikës në objektet e ish-kazermës, ku edhe më herët është kërkuar që aty të bëhet një kampus shkollor dhe universitar në gjuhën shqipe. Adaptimi apo ndërtimi i objekteve të reja shkollore në atë kampus, bashkë me një sallë moderne sportive;
3. Ndërtimi i dy çerdheve të reja për fëmijët parashkollorë në lagjet shqiptare (Barakat dhe Bedinjë);
4. Funksionalizimi me kapacitet të plotë i Ambulacës në Lagjen e Trimave;
5. Rregullimi i rrugëve dhe trotuareve edhe në lagjet shqiptare, si dhe stopimi i kaosit urbanistik;
6. Rregullimi dhe funksionaizimi i Parkut të qytetit të Kumanovës;
7. Ndarja e mjeteve financiare nëpër shkollat fillore dhe të mesme të qytetit në bazë të numrit të nxënësve, e jo në bazë të hapësirës së objektit;
8. Fuqizimi i sektorit civil, përmes ndarjes së mjeteve financiare nga Komuna në mënyrë transparente dhe të barabartë për aktivitete kulturore, që nënkupton shumëfishim i ndihmës ndaj klubeve dhe shoqatave shqiptare që merren me: kulturë, letërsi, art, muzikë, sport, etj;
9. Emërimi i funksionarëve të rinj lokal në bazë të meritokracisë, dhe pushimi i merituar i “funksionarëve të përjetshëm”, etj. etj. etj…

Comments