Dita e dytë e sulmit në Mosul, ushtria dhe peshmergat përparojnë



Ofensiva për marrjen e Mosulit ka hyrë në ditën e dytë dhe Pentagoni thotë se trupat irakiane po ecin më mirë se ç’parashikohej, por gjithsesi, sipas zëdhënësit të Pentagonit, Peter Cook, mund të duhet kohë për të rifituar kontrollin e qytetit të dytë më të madh të Irakut.
Luftimet vazhduan përgjatë gjithë natës e ka raporte se militantët sulmuan disa tanke të ushtrisë irakiane.
ISIS e mori Mosulin në qershorin e vitit 2014. Lideri i grupit ekstremist, Abu Baker al Bagdadi, e zgjodhi këtë qytet si vendin ku do të njoftonte krijimin e kalifatit, ndaj marrja e tij ka rëndësi të madhe simbolike.
“Shteti Islamik” u detyrua të braktiste disa territore gjatë ditës se parë të ofensivës dhe për fat civilet në zonat e luftimit ishin larguar me kohë.
Koalicioni i 30.000 irakianëve, peshmergave dhe luftëtarëve fisnorë sunitë, e filloi të hënën avancimin drejt fortesës së fundit të rëndësishme të ISIS-it në këtë vend pas muajve të tërë planifikimi.
Në Siri, ndërkohë, Forcat siriane dhe ato ruse do të ndërpresin sulmet ndaj qytetit të Alepos për tetë orë rresht të enjten, në mënyrë që civilët dhe rebelët të mund të largohen nga qyteti.
“Forcat ruse dhe siriane ndërprenë sulmet ajrore në Alepo. Ndërprerja e sulmeve do t’u japë mundësi misioneve humanitare dhe do të sigurojë kalim të lirë për civilët që largohen nga qyteti përmes gjashtë korridoreve të hapura. Po përgatitemi edhe për largimin e të lënduarve nga Alepo”,– tha ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu.
Por, Moska ka hedhur poshtë një armëpushim më afatgjatë siç kërkojnë qeveritë perëndimore, duke thënë se një gjë e tillë do t’u jepte mundësi rebelëve islamik të rigrupohen.
Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Alepo jetojnë mbi 250 mijë civilë.