Dita e gruas sipërmarrëse, më shumë inkurajim për gratë biznesmene

258
fresco
midle
Në Maqedoni, gratë që kanë biznes personal rrallë shfrytëzojnë grande, kredi ose ndihmë tjetër financiare, por janë të interesuara për shfrytëzim të mjeteve nga fondet për zhvillim dhe sipërmarrësi.
Kryetarja e Grupacionit të grave afariste pranë OEMVP-së, Gëzime Fejzi, theksoi se nevojitet inkurajimi dhe prezantimi i mundësive që kanë gratë për të bërë biznes.
“Gruaja sot paraqet një shtyllë kryesore në shoqëri, andaj unë mendoj se së bashku nëpër këto evente, me apelin tonë që të gjitha gratë të vijnë të na dëgjojnë edhe ta ndjekin rrugën tonë, për shkak se të gjitha së bashku ne mund të jemi më të fuqishme dhe ta ndryshojmë vendin e gruas në shoqëri”,- deklaroi kryetarja e Grupacionit të grave afariste, Gëzime Fejzi.
Statistikat tregojnë se në vendin tonë përfaqësimi i grave në biznes është i dobët.
Sipas shoqatave të grave që merren me biznes, është e nevojshme rritja e numrit të grave sipërmarrësve dhe grave që menaxhojnë, për shkak se kjo do të kontribuonte në rritjen ekonomike të vendit.
“Në Maqedoni ka 50 për qind popullatë femërore. Gratë në tregun e punës marrin pjesë me 43,1 për qind, por madje 44 për qind nga kompanitë nuk kanë femra në funksione vendimtare. Në sektorin bankar përqindja e femrave në funksione udhëheqëse është rreth 23 për qind, në grupacionet e sigurimit rreth 18 për qind, ndërsa në bursë vetëm 2 për qind”,- theksoi kryetarja e Shoqatës së grave menaxhere “Elita”, Lenka Ugrinovska.
“Ajo për të cilën angazhohemi është fuqizimi ekonomik i grave sipërmarrëse për shkak të fuqizimit të shoqërisë. Shpresoj që kjo nuk do të jetë vetëm një ditë ku do të punojmë për fuqizimin e gruas sipërmarrëse, por në kontinuitet do të vazhdojmë kështu të gjithë bashkërisht të punojmë për të mirën e shoqërisë tonë”,– u shpreh kryetarja e Shoqatës për biznes të grave të Maqedonisë, Valentina Disovska.
Ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi, thotë se numri i grave sipërmarrëse nga viti në vit po shtohet.
“Shifrat tregojnë se në Maqedoni janë aktive rreth 20 mijë subjekte të biznesit në pronësi të të paktën një gruaje, me numër të përgjithshëm prej 50 mijë të punësuarve nga kompani me gra menaxhere”,- u shpreh ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi.
Maqedonia është vendi i 144 ku shënohet Dita e gruas sipërmarrëse, për të nderuar ndikimin që gratë sipërmarrëse kanë në biznes dhe në jetën e përgjithshme shoqërore.
Comments