Dokumentet, masakrat në Çamëri në vitet e Luftës së Dytë Botërore

501

Qindra pjesëtarë të komunitetit çam që i takonin besimit mysliman ishin masakruar brutalisht nga forcat e Napolon Zervës në verën e vitit 1944. Kuvendet që u mbajtën asokohe, dhe vendimet pas masakrës së Filatit

Agron Alibali

Punimi i mëposhtëm është pjesë apo e një studimi të zgjeruar për aspekte juridike të çështjes çame, të cilin ende e kemi në dorë. Ekstraktin po e botojmë për herë, në përkujtim të viktimave të ngjarjeve të ndodhura 75 vjet më parë. Njoftimet e zbuluara deri tani për kuvendet çame nga arkivat amerikane janë fare të pakta. Ajo çka kemi gjetur deri më sot janë referenca nga Raportet Periodike të Misionit Ushtarak Britanik në Shqipëri, një kopje e të cilave u përcillej rregullisht zyrtarëve amerikanë pranë Shtabit të Komandës Aleate. Rrethanat historike-juridike të tubimeve çame janë shkurtimisht këto: Qindra pjesëtarë të komunitetit çam që i takonin besimit mysliman ishin masakruar brutalisht nga forcat e Napolon Zervës në verën e vitit 1944 gjatë vakumit të krijuar pas largimit të pushtuesve gjermanë, ndërkohë që mijëra të tjerë ishin shtrënguar nën kërcënimin e bajonetave që të linin shtëpitë e tyre dhe të gjenin strehim përtej kufirit, në Shqipëri. Shumica e tyre u vendosën në rrethet e Konispolit dhe Sarandës, duke pritur qetësimin e situatës dhe kthimin në viset e tyre. Të tjerë ishin nisur, kryesisht në këmbë, drejt Vlorës disa duke ndjekur luginën e Drinos, poshtë Gjirokastrës – çka e ka dëshmuar edhe shkrimtari Ismail Kadare në disa vepra të tij – dhe disa të tjerë nëpërmjet Qafës së Llogorasë. Të gjendur në Shqipërinë e shkatërruar nga lufta, ku pushteti komunist po vendoste me shpejtësi autoritetin e vet në mbarë vendin, përfaqësuesit çamë krijuan edhe ata strukturat e tyre vetëqeverisëse, kryesisht pleqësitë dhe Kuvendin Çam.

Para tyre shtroheshin dy detyra thelbësore dhe të ngutshme: e para, përballimi i emergjencës apo krizës humanitare dhe shpëtimi i jetës së mijëra refugjatëve të pastrehë çamë të vendosur në Sarandë dhe rrethe të tjera nga skamja, uria, sëmundjet, trazirat e motit; dhe së dyti, kthimi në shtëpitë e tyre në Çamëri sapo të krijoheshin kushtet minimale të sigurisë. Kuvendi i Parë Çam u mbajt në Shalës në shtator 1944. Shalësi është njëri prej fshatrave të Çamërisë shqiptare që ndodhet disa kilometra në veri të Konispolit dhe në perëndim të Markatit dhe Ninatit. Në maj 1945 duhet të jetë mbajtur një kuvend tjetër, i jashtëzakonshëm. Ka të ngjarë që këtu bëhet fjalë për një mbledhje riorganizuese të organeve vetëqeverisëse çame në Shqipëri, të thirrur në periudhën ndërmjet dy tubimeve kryesore, atij të Shalësit dhe të Vlorës, të shtatorit 1945. Aty duhet të jetë rivlerësuar edhe gjendja e re politike e krijuar pas fitores së madhe të Fuqive Aleate ndaj Gjermanisë naziste me 9 maj 1945 dhe interpretimin e saj në lidhje me synimin e minoritetit çam për kthimin në shtëpitë e tyre në Çamëri. Pa dyshim në qendër të diskutimeve të kuvendit të jashtëzakonshëm duhet të ketë qenë edhe vendimi arbitrar për mos-lejimin e kthimit të çamëve në shtëpitë e tyre, që përmendet në telegramin e z. Xhejkobs të cituar më lart. Duhet përmendur se kjo mbledhje u mbajt pas masakrës së marsit 1945 në rrethin e Filatit në Çamëri ndaj një grupi fshatarësh çamë që po ktheheshin në shtëpitë e tyre. Datë e përafërt duhet të jetë 19 maji 1944. Njoftimi, që i referohet Radio Tiranës, jepet në Raportin Periodik Nr. 5 të Misionit Ushtarak Britanik. Misioni Ushtarak Britanik natyrisht ndiqte me vëmendje të madhe problemin e refugjatëve çame. Një syth i posaçëm atje u kushtohet marrëdhënieve Shqipëri-Greqi.

Aty vërehet qartë njëanshmëria e zbuluesve britanikë në lidhje me marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, sidomos sa u takon pretendimeve greke ndaj Shqipërisë së Jugut. Së pari, zbuluesit anglezë përdornin çuditërisht termin grek “Epir i Veriut” për territorin shqiptar. Së dyti, ata i karakterizonin pretendimet absurde greke si “kërkesa për rikthimin e Epirit të Veriut.” Raporti i referohet edhe një njoftimi të Radio Tiranës: “10. Marrëdhëniet me Greqinë. …(c) Kemi edhe një informacion tjetër të vogël për çamët [Çamerians] nga Radio Tirana në emisionin e saj të 26 majit 1945. “Në Kuvendin e mbajtur javën e kaluar ku morën pjesë më shumë se 200 delegatë apo përfaqësues çamë, emigrantët çamë zgjodhën Këshillin e tyre Antifashist. Këshilli Nacional Çlirimtar Çam i sapozgjedhur përbëhet nga 9 anëtarë”. Përveç njoftimit të mësipërm, nuk kemi të dhëna të tjera për këtë mbledhje të refugjatëve çamë në Shqipëri. Rreth kësaj kohe, më saktë me 9 maj 1945 kemi edhe dërgimin e një telegrami prej Komitetit Antifashist Çam drejtuar Fuqive të Mëdha Aleate “lidhur me të drejtat e Çamëve mbështetur në Kartën e Atlantikut”. Ky dokument ka rëndësi edhe për faktin se Misioni Ushtarak Britanik e raportonte çështjen e refugjatëve çamë në sythin e Marrëdhënieve me Greqinë, pra me të drejtë nuk e shikonte atë si çështje të brendshme të Shqipërisë.

Sponsored by Revcontent
LAJMET MË TË LEXUAR NË TETOVO
Jason Momoa is a Gorgeous Man but Take a Look at His Wife
Dokumentet

Dokumentet arkivore amerikane dhe burimet e tjera të botuara përcjellin fatin e hidhur të njërës prej popullsive më vitale, por edhe më të persekutuara të kontinentit evropian, minoriteti çam të Greqisë.Kemi të bëjmë me një popullsi autoktone, me cilësi ndër më të rrallat, e cila përbën pasuri të vërtetë për Greqinë e sotme demokratike dhe evropiane.Me kulturë dhe tradita të lashta, minoriteti çam u sakrifikua në Konferencën e Ambasadorëve prej disa Fuqive të Mëdha për të kënaqur orekset shoviniste të Athinës.Pavarësisht nga ndryshimet territoriale, çamët duhet të gëzonin të gjitha të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve të garantuara nga e drejta nderkombëtare dhe legjislacioni grek. Projekti për ndryshimet territoriale në favor të shtetit grek dhe në dëm të popullsisë çame i përpunuar në Kongresin e Berlinit, u zbatua më vonë me fillimin e Luftërave Ballkanike më 1912, me rënien e Janinës, dhe me vendimin e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës për nguljen e vijës kufitare në Kepin e Stillos. Megjithë garancitë e dhëna nga qeveria greke për respektimin e të drejtave, zakoneve, dhe interesave të popullsive të territoreve të fituara prej saj nga Perandoria Otomane, ku përfshihej edhe Çamëria, popullsia e kësaj të fundit iu nënshtrua shpejt një terrori të pashembullt, aq sa hyrja e ushtrisë italiane në Çamëri në qershor 1917 u prit si çlirim i mirefilltë.

Zbuluesi amerikan në Shqipërinë e Jugut, 31 maj-3 qershor 1945.

Në kuadrin e detyrave për vëzhgimin dhe studimin e imët të gjendjes në Shqipëri dhe paraqitjen e një Raporti me rekomandime lidhur me njohjen e qeverisë së re shqiptare, pjesëtarët e Misionit Amerikan ndërmorën disa vizita nëpër Shqipëri. Një i dërguar i posaçëm dhe pjesëtar i shërbimit të zbulimit amerikan OSS vizitoi Shqipërinë e Jugut midis datave 31 maj dhe 3 qershor 1945. Kjo ishte vizita e parë thuajse-zyrtare e një përfaqësuesi amerikan në jug pas çlirimit të vendit dhe pas ardhjes së misionit vëzhgimor diplomatik amerikan në Shqipëri, për tê cilën kemi një dokument në trajtë raporti. I dërguari amerikan, përshkruan shkurt, por me ngjyra realiste, gjendjen e rëndë të refugjatëve çamë [Chamerians] në jug të Shqipërisë gjatë vizitës së vet të 7 qershorit 1945. Pasazhi i plotë, që përbën syth të veçantë në raport, është si më poshtë: “Çamët [Chamerians]: Gjatë gjithë rrugëve kryesore automobilistike në jugë [të vendit] shiheshin të lëviznin drejt Shqipërisë qëndrore burra, gra dhe fëmijë. Në muajt e fundit rreth 23,000 minoritarë shqiptarë nga Çamëria greke kanë kapërcyer kufirin për t’i shpëtuar persekutimeve masive të pretenduara prej njerëzve të Zervës.Duket se kur Italia invadoi Çamërinë, disa prej këtyre shqiptarëve persekutuan grekët. Tash është më se e qartë se grekët po përpiqen t’i zbojnë të gjithë ata nga ai vend”. Shënimi shoqërues i shefit të Misionit Xhejkobs përmend si autor të raportit “njërin nga oficerët tanë të zbulimit”. Ka të ngjarë që ky të ketë qenë Tom Stefan, shqiptaro-amerikani me gradën kapiten dhe oficer i OSS i dërguar me kohë në Shqipëri. Vetëm disa ditë më vonë, me 9 qershor 1945, Enver Hoxha, do t’ia refuzonte atij lejen për të vizituar Shqipërinë e Jugut si pjestar i ekipit të zgjeruar amerikan.

Misioni Amerikan, 12-16 qershor 1945

Dy javë pas raportit të oficerit të zbulimit të OSS kemi edhe raportin e dytë. Kësaj here delegacioni amerikan kryesohej nga vetë Xhejkobs, i shoqëruar nga tre zyrtarë dhe oficerë të tjerë, përfshirë Harri Fulcin. Ndryshe nga Xhejkobs, Fulci nuk vinte për herë të parë në rajon. Ai kishte qenë më përpara atje gjatë viteve të shkuara kur drejtonte në Shqipëri shkollën e famshme teknike, çka del nga përshtypjet e tij në raport që sjellin krahasime me të kaluarën. Vizita e dytë u krye në itinerarin Tiranë – Elbasan – Pogradec – Korçë – Borovë – Leskovik – Përmet – Gjirokastër – Delvinë – Sarandë – Llogora – Vlorë – Tiranë. Me 15 qershor 1945 në ora 12-15 delegacioni amerikan mbërriti në Sarandë. Vizita aty përshkruhet si vijon: “Mbërritja në Sarandë, ora 12:15, km i udhëtimit 274. Shënim: U pritëm nga Prefekti dhe nga krerët e organizatave të ndryshme anti-fashiste, të cilët na çuan në ndërtesën e Prefekturës, ku u mbajtën fjalimet e zakonshme dhe u shtrua ushqim. Po ashtu, u pritëm nga një delegacion i refugjatëve çamë [Chamerian], të cilët janë shpërndarë në gjithë zonën. Vumë re se objektet portuale të Sarandës (i quajtur Porto Edda nga italianët) ishin shaktërruar krejtësisht dhe ende asnjë përpjekje nuk ishte bërë për ndreqjen e dëmit”. Njoftimet për udhëtimin e dytë në jug janë pjesë e Raportit Përfundimtar, i cili do të trajtohet më pas.

Comments