Dorëheqje në LDK pas koalicionit me PDK-në në Prizren

264

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prizren, Haziz Hodaj, ka njoftuar dorëheqjen e tij nga Kryesia e Degës së LDK-së, duke shprehur pakënaqësi të thellë me mënyrën e vendimmarrjes brenda partisë dhe duke kërkuar përgjegjësi politike.

Dorëheqja e Hodajt vjen si pasojë e koalicionit PDK–LDK në Prizren dhe ndarjes së drejtorive, për të cilën ai thotë se është bërë pa konsultim dhe jashtë strukturave vendimmarrëse të partisë.

Në reagimin e tij publik, Hodaj ka deklaruar se shfuqizimi i parimeve dhe mungesa e reflektimit pas humbjeve të njëpasnjëshme kanë krijuar një situatë të papranueshme brenda LDK-së.

“Në vend se të reflektojmë mbi humbjet serike, ne po sillemi me një papërgjegjësi shqetësuese që thellon gabimet. Mjaft është mjaft”, ka shkruar ai, duke adresuar drejtpërdrejt edhe nënkryetarin e LDK-së, Driton Selmanaj.

Hodaj thekson se dorëheqja e tij është akt dinjiteti dhe jo dorëzim, duke shtuar se nuk dëshiron të bëhet pjesë e vendimeve që, sipas tij, shkelin besimin, parimet dhe fjalën e dhënë.

“Kur fjala e dhënë shkelet e besa humb peshën e saj, dorëheqja nga kryesia mbetet e vetmja rrugë e ndershme. Më mirë të largohesh me nder, sesa të qëndrosh aty ku besa është shkelur”, ka theksuar ai.

Ai ka bërë të ditur se po largohet nga Kryesia e Degës për shkak të vendimeve arbitrare, të marra pa konsultim, pa marrëveshje dhe jashtë çdo vendimi të Kryesisë, duke e bërë, sipas tij, të pamundur vazhdimin e përgjegjësisë me integritet.

Në fund, Hodaj ka apeluar edhe te kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, që të mos marrë vendime për emërimin e drejtorëve pa u konsultuar me anëtarët e Kuvendit Komunal nga LDK-ja, duke përjashtuar vetëm Drejtorinë e Urbanizmit.

“I qëndroj besnik, pa asnjë kompromis, parimeve të mia dhe besimit të votuesve të mi. Ky është detyrimi im moral”, ka përfunduar ai.

Comments