“Droga e armët të miat, mos merrni të tjerë në qafë, s’kanë bukë të hanë”

Kujtim Rexhepi, administratori i magazinës ku u sekuestruan 1.3 tonë kanabis sativa në Derven të Krujës, dje në sallën e gjyqit pranoi se lënda narkotike dhe disa armë të gjetur në kapanon ishin pronë e tij
I pranishëm në Gjykatën për Krimet e Rënda për caktimin e masës së sigurisë, i dyshuariRexhepi, që aktualisht mban emrin Valentin Smulanova, përjashtoi dhjetë të bashkarrestuarit me të nga përgjegjësia penale.
Ai tha se disa prej tyre ishin miq të tij dhe të tjerët vetëm punëtorë në kapanon, sipas tij, veç për të siguruar bukën e gojës. Gjykata për Krimet e Rënda pranoi kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj tij.
Gjatë leximit të kërkesës për caktimin e masës së sigurisë, prokurori Gentian Trenova i tha gjykatës se nga provat e deritanishme rezulton se i dyshuari KujtimRexhepi është organizatori i veprimtarisë kriminale të konstatuar në magazinën e drogës në Derven. Prokurori relatoi në gjykatë deklarimin fillestar të dhënë nga i dyshuari pak pas arrestimit.
“Magazina administrohej nga unë prej disa vitesh. Lënda narkotike e gjetur në të është e imja. Banesa pranë saj është marrë me qira nga unë. Armët që janë gjetur, janë armë të mbetura që nga viti 1997. Dijeni për armët kam pasur vetëm unë dhe askush tjetër nga personat e tjerë të pranishëm në magazinë”, citoi prokurori në deklarimet e Rexhepit.
Sipas Prokurorisë, ai ka konsumuar katër vepra penale, mes të cilave edhe atë të “grupit të strukturuar kriminal”, shkruan Panorama.
DËSHMIA E REXHEPIT

Me zë të plotë dhe një intonacion zëri sikur të kërkonte mirëkuptimin e trupit gjykues dhe të prokurorit, i arrestuari Kujtim Rexhepi përjashtoi nga veprimtaria kriminale të dhjetë të bashkarrestuarit e tij. “Katër personat që janë kapur me mua te lokali, nuk kanë lidhje fare me këtë punë. Ndodheshin rastësisht me mua. Janë të gjithë hallexhinj, që nuk kanë bukë në shtëpi.
Janë të gjithë gabim këtu dhe ju po i mbani në burg.
Unë Gjokeajt i kam miq. Kam njohje dhe miqësi me ta. Nëse u arrestuan vetëm pse i kam miq, atëherë i bie sikur po kthehemi në kohën e Enver Hoxhës. Unë njoh plot njerëz. Të persekutohen ata pse janë miq dhe po pinin kafe me mua. Janë të gjithë njerëz të varfër.
Mos zoti kryetar, shkoni dhe kontrolloni banesat e tyre. Nuk do të gjeni asgjë në to. Nuk kanë as bukë për të ngrënë”, tha nga kafazi i hekurt i arrestuari Rexhepi. Në të njëjtën linjë ai u shpreh edhe për punëtorët e hashashit, të arrestuar në magazinën e drogës në Derven.
“Ata të pestë që janë arrestuar në magazinë janë punëtorë të hashashit. Kanë ardhur të punojnë për një copë bukë. Për 15 mijë lekë në ditë. Aq paguheshin”.
Rexhepi nuk i ka kursyer “këshillat” ndaj prokurorisë gjatë kohës kur trupi gjykues ishte tërhequr për shpalljen e vendimit.
“Unë këtë punë kam, por mos i merrni të tjerët në qafë se janë hallexhinj”, tha ai duke u drejtuar nga përfaqësuesi i prokurorisë. MASAT Masa e sigurisë “arrest në burg” u caktua dje edhe për të dyshuarit Gazmir, Gjovalin e Aurel Gjokea, Nilson Gega dhe Erald Bardhoku.
Në seanca të njëpasnjëshme, ata pretenduan para gjykatës së nuk kishin lidhje me lëndën narkotike, apo punën në kapanon. Të dyshuarit pranuan njohjen me Kujtim Rexhepin, për shkak të lidhjeve miqësore edhe si banorë të së njëjtës zonë dhe se në momentin e arrestimit kanë qenë duke pirë kafe me të.
Ndërsa Erald Bardhoku pranoi se ishte punëtor në magazinë. Të premten, Gjykata për Krimet e Rënda caktoi masat e sigurisë “arrest në burg” për të dyshuarit Besmir Vathi, Ali Kuçi, Ferit Sula dhe Erjon Vathi. I vetmi që i shpëtoi burgut ishte i mituri 16-vjeçar Ersaldo N. /Armand Bajrami./Albeu.com/