Dronë, snajperë dhe frika e përditshme e fëmijëve në Gaza
Që nga janari 2025, trupat izraelite kanë vrarë 44 fëmijë palestinezë, sipas OKB-së. Askush nga përgjegjësit nuk është gjykuar ose dënuar, dhe shpesh ushtria as nuk hap hetime.
Alia Al-Hallaq, 33 vjeç, rrëfen ëndrrat e djalit të saj 9 vjeç e gjysmë, Mohammed. Ai donte të bëhej kirurg i zemrës dhe të dëgjonte emrin e tij sa herë kishte raste emergjente në spital. Por më 16 tetor, Mohammed u qëllua dhe u vra nga një ushtar izraelit në fshatin Al-Rihiya, pranë Hebronit.
Ai kishte qenë i lumtur atë ditë me çantën e tij të re nga UNICEF. Veshi uniformën e shkollës dhe doli për të luajtur me shokët. Kur Jeep-at e ushtarëve kaluan me shpejtësi, fëmijët u shpërndanë në panik.
Mohammed vrapoi drejt shtëpisë së gjyshërve, por u qëllua me plumb që i shkaktoi vdekjen e menjëhershme. Dëshmitarët thonë se ushtari ngriti armën në ajër pas shënjestrimit, si për të festuar.
Babai i tij, Bahjat, punonte larg dhe mund të vinte vetëm fundjavave. Nënën e lajmëruan në telefon, për lajmin më të tmerrshëm të jetës së saj. Sot, katër fëmijët e saj shikojnë shpesh video të ditëlindjes së Mohammed-it…teksa nga mendja nuk u shqitet funerali i tij.
UNICEF raporton se shumica e fëmijëve të vrarë prej janarit janë qëlluar me snajperë, ndërsa pjesa tjetër janë viktima të sulmeve me dron.
Në vitin 2024, 93 fëmijë palestinezë u vranë nga ushtria izraelite.
Ayed Abu Eqtaish nga organizata Defense for Children International Palestine thotë se ushtarët izraelitë “qëllojnë vetëm për të vrarë, edhe fëmijë të pambrojtur“. Ai shton se fëmijët shpesh i quajnë “terroristë potencialë”, për të justifikuar vrasjet.
Këto vrasje rrallë ndëshkohen.
Shumë herë nuk hapet as hetim. Kur ka hetime, zakonisht konfirmohet se “rregullat u ndoqën” dhe nuk kishte gabime. Ushtari i fundit i dënuar për vrasjen e një fëmije palestinez ishte në 2014-ën.
Në Tulkarem, Iyad Rajab tregoi vdekjen e djalit të tij 10 vjeç, Saddam, që u qëllua më 28 janar nga një snajper. Djali vdiq dy ditë më vonë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar.
Në Sebastia, pranë Nablusit, Rachid Jazar rrëfen po ashtu vdekjen e djalit të tij 14 vjeç, Ahmad, më 19 janar, që u qëllua nga një ushtar gjatë një operacioni. Ahmad e kishte thënë shpesh se situata e tij ishte më e mirë se ajo e fëmijëve në Gaza, ku mesatarisht 28 të mitur vriten çdo ditë.
Dhimbja për fëmijët e vrarë vazhdon të rëndojë familjet.
Babai i Ahmadit ende nuk ka rifilluar punën dhe ruan me shumë kujdes ato pak gjëra që i kanë mbetur nga i biri, ndërsa përpiqet të mbrojë fëmijët e tjerë nga çdo rrezik ushtarak.

