Duraku: Bashkëpunimi me Austrinë do të intensifikohet

210

Sot ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Sadulla Duraku, zhvilloi një takim pune me ambasadoren e Austrisë në Republikën e Maqedonisë Renate Kobler.

Duke shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin e frytshëm dhe mbështetjen që Maqedonia e ka nga Austria në proceset eurointegruese dhe në arritjen e synimeve të përbashkëta në mbrojtjen e mjedisit jetësor, ministri Duraku theksoi qëllimin që bashkëpunimi në periudhën e ardhshme me vendet anëtare të BE-së maksimalisht të intensifikohet .

Republika e Austrisë përmes Ambasadës austriake dhe Agencisë austriake për zhvillim shumë vite ishte pjesë e realizimit të suksesshëm të projekteve të shumta për mbrojtjen e mjedisit jetësor, sidomos në pjesën e furnizimit me ujë, grumbullimin dhe trajtimin e ujërave të zeza, përforcimin e kapaciteteve administrative të ndërmarrjeve publike që menaxhojnë me resurset ujore, ndryshimet klimatike, por edhe në tuining projektet për cilësinë e ajrit.

Në fund të takimit, Duraku dhe Kobler shprehën gatishmëri që bashkëpunimi i mirë në arritjen e standardeve evropiane në sfera të ndryshme të mjedisit jetësor edhe më shumë të thellohet dhe intensifikohet.

Comments