Dy ambasada, dy shtete, me ambasadorë si Kukulla


Nga Urim Hasipi
Shqipëria dhe Kosova, njëra tashmë 25 vite, tjetra tashmë 5 apo 6 vite kanë të akredituar ambasadorë në Maqedoni.Gjithmonë kanë qenë shqiptarë të paktën për nga emrat e tyre, por sa kanë bërë për shqiptarët e Maqedonisë, kjo është pikpyetje e madhe. Për të mos e banalizuar këtë shkrim (personal) po ju rikujtoj se Shqipëria me kushtetutë e ka për detyrë që të kujdeset për të gjithë shqiptarët pavarësisht se ata ku jetojnë.Por përveç disa deklaratave çdo herë të matura për të mos e “nervozuar” partinë maqedonase që udhëheq shtetin, burështetasit (jorasastësisht me një r e kam shkruar) e këtyre dy shteteve asgjë nuk kanë bërë për të treguar se I kemi krah të fuqishëm.Gjithmonë paraqitjet e tyre (kam parasysh Berishën, Nanon,Ramën, Hashim Thaçin, Isa Mustafën) kanë qenë se duhet të respektohet Marrëveshja e Ohërit. Këta udhëheqës të shtetit Shqiptarë dhe të Kosovës jo që nuk kanë interesim për shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, ata nuk kanë asnjë interesim edhe për shtetasit e tyre. Nëse se keni të qartë ua rikujtoj.Në Pollog, gjegjësisht në Tetovë dhe Gostivar, ku jetojnë shumicë dërmuese shqiptarë, brenda një viti arrestohen mbi 120 qytetarë (puntorë krahu) që vijnë nga Shqipëria dhe Kosova për të punuar në Maqedoni dhe depërtohen në vendet e tyre. Ata arrestohen në mënyrë spektakolare nga Policia e Maqedonisë, u shqiptohen dënime dhe u ndalohet hyrja për disa vite. Kjo ndodh gati se 25 vite dhe tash e gati se tre dekada Shqipëria ende nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për të rregulluar këtë punë në mënyrë institucionale që ata të mundet që edhe ligjërisht të punojnë, t`iu njihet më pas edhe si stazh pune kur të dalin në pension. Në këtë drejtim barra e përgjegjësisë bie edhe për vetë këta dy shtete, por aspak nuk mund të ngelin pa përgjegjësi edhe ambasadorët të cilët vijnë këtu dhe vetëm fotografohen gjatë katër viteve dhe ikin pa asnjë gjurmë më pas kur u përfundon mandati. Deri më tash për këtë çështje asnjëherë nuk kanë folur publikisht asnjëri prej ambasadorëve, (në cilësi të gazetarit kam kërkuar deklarime) por edhe skur të folin nuk kanë se çka të thonë. Pra me një fjalë ju jeni ambasadorë kukulla dhe asnjë gurrë nuk keni lëvizur.Ju nuk ishit të zot njëherë të paktën të ngritni zërin për këto probleme, kurse për paraardhësit tuaj nuk kam asnjë sekondë kohë për të humb dhe se ata nuk meritojnë as edhe emrat t`ua përmendi.Ju mund të organizoni pritje për ministra e deputet, për “intelektual”, për të gjithë ata që u përkdhelin dhe që më shumë u ruajnë shpinën se sa ua thonë në sy të metat që i keni edhe si shtete por edhe si ambasadorë por duhet ta dini ne Jemi këtu edhe kur ju do të shkoni andej nga keni ardhur pa bërë asgjë as për qytetarët tuaj që arrestohen dhe tërhiqen zvarrë në Tetovë dhe Gostivarë nga policia.Ne jemi këtu dhe do të jemi akoma për të folur për mospunën tuaj që e keni si obligim. Sa për atë se sa na keni mbrojtur dhe na keni dalur zot kur kemi qenë dhe jemi ngusht nuk kam kohë t`ju shkruaj se nuk e meritoni.