
Çfarë ka realizuar Qeveria e Zoran Zaevit, pikërisht dy vjet pas formimit të saj? Përgjigjja e kësaj pyetjeje, nga perspektiva qeveritare, mund të dëgjohej në ngjarjen disa orëshe sot në Shkup. Foli njeriu i parë i qeverisë dhe zëvendëskryeministrat, para një pjese të ministrave, deputetëve, drejtorëve, gazetarëve, përfaqësuesve të OJQ-ve dhe qytetarëve. Në fjalimin e tij, Zoran Zaev u lavdërua me disa gjëra, por më shumë hapësirë i kushtoi politikës së jashtme, mbrojtjes sociale dhe gjyqësorit.
Ne zgjodhëm ardhmërinë, në vend të një izolimi të pakuptimtë. Është ajo përgjegjësi që askush nuk e mori dhe as që e kishte marrë për gati tre dekada. Edhe bota e vërejti këtë. Na dhanë mirënjohje, na njohën si partner të barabartë, si faktor në rajon, në Evropë dhe në botë”-tha Zoran Zaev, kryeministër.
Për sukseset në politikën e jashtme, integrimin në NATO dhe raportin pozitiv të KE-së, kryesisht folën edhe zëvendës- kryeministrat.
Arritëm të bëhemi shteti i vetëm në rajon i cili nuk ka asnjë çështje të hapur me fqinjët. Dhe këtë e bëjmë me reforma të vështira, shpesh të rënda, madje edhe të shtrenjta politikisht”-pohoi Radmilla Sheqerinska.
Në ngjarje, kishte hapësirë edhe për publikun që të japë komentin e vet apo të parashtroj pyetje. Mes tjerash, u ankuan përfaqësuesit e komunitetit rom, komunitetit vlleh dhe organizatat e grave. Të gjithë morën premtim se vërejtjet do t’u merren parasysh. Por, kishte edhe të tillë që e lëvdonin kryeministrin Zaev, duke i përkujtuar ministrat se nuk duhet harruar çfarë nderi kanë që janë pjesë e ekipit të kryeministrit.
ALSAT