Alarmi që ka nisur dhe po vazhdon të trashet lidhur me largimin e Adriatik Llallës dhe ardhjen e një Kryeprokurori të ri, që nuk kalon nga duart e Berishës, është ndoshta momenti më alarmant që politika shqiptare ka pasur që në vitin 1991.
Shkruan: Mero Baze
Në SHBA ka nisur një hetim ndaj kompanisë “OSI Systems Inc”, e cila ka koncesionin e skanimit në pikat doganore në Shqipëri, në emër të investitorëve të cilët kanë blerë aksione të zakonshme të “OSI”, pasi ndaj saj u bënë publike akuza të rënda në televzionin e njohur të lajmeve ekonomike “Bloomberg”. Hetimin e ka nisur “Kaplan Fox & Kilsheimer LLP”, një kompani e specializuar për auditin financiar, e cila është duke hetuar në interes të aksionerëve të kompanisë “OSI” që ka fituar koncesionin në Shqipëri .
“Bloomberg” thotë se kompania “OSI Systems”, e cila pësoi rënie në bursë, fituese e koncesionit të skanimit të kontenierëve në Shqipëri, ka përdorur praktika korruptive kundrejt qeverisë së atëhershme të kryeministrit Sali Berisha në vitin 2011. Bëhet fjalë për një mashtrim që shkon nga 100 deri 150 milionë dollarë, i cili kuptohet lehtë se si gjysma e kompanisë që vlente në bursë 250
milionë dollarë u shit për 5 mijë lekë në Shqipëri, si dëshmi e ryshfetit për pushtetin në Tiranë.
Në Shqipëri ky koncesion dhe ai ngjyrosjes së naftës, ka qenë i përfolur para se të vinin socialistët në pushtet, për shkak të lidhjeve të forta që shkonin në familjen Berisha, por nuk u arritën të
anulohen, për shkak të penaliteteve të larta, që qeveria Berisha, kishte parashikuar në raste të prishjes së marrëveshjeve të tilla. Në këtë rast, siç provon investigimi i nisur në SHBA, njerëzit e Berishës, i kanë marrë paratë, duke qenë formalisht aksionerë në këtë kompani dhe duke shitur gjysmën e aksioneve që vlejnë në tërësi 250 milionë dollarë, me një shifër që shkon tek 50 dollarë. Kjo i bën të besojnë hetuesit se korrupsioni për pjesën qeveritare të Berishës ka qenë mbi 100 milionë dollarë.
Në rastin e koncesionit të ngjyrosjes së naftës, njeriu i afërt i familjes Berisha u zbulua nga “Panama Papers”, se i ka aksionet në parajsë fiskale në Panama, ndërsa aksioneri tjetër në Zug të Zvicrës, po ashtu parajsë fiskale.
Këto janë dy nga dosjet e para që duhet të jenë në tavolinën e SPAK dhe Prokurorit të Përgjithshëm, i cili duhet të zgjidhet këtë muaj. Në fakt po të shikosh shifrat e frikshme që po hetohen si korrupsion i pastër qeveritar, dhe deklaratat nga investigatorët amerikanë se ata kanë fakte që ato para janë paguar për korrupsion në Shqipëri, e kupton se tërbimi ndaj procesit të caktimit të Prokurorit të Përgjithshëm, të Përkohshëm, është i ligjshëm.
Po kaq i motivuar duket dhe tërbimi ndaj diplomatëve perëndimorë që po mbajnë nën kontroll procesin e caktimit të Prokurorit të Përgjithshëm, dhe sidomos mllefi ndaj ambasadorit Lu, që lidhet
me paranojën se këto hetimet në SHBA i nxit ambasadori.
Në fakt nuk është fare e vërtetë. Ambasadori Lu nxit vetëm caktimin e Kryeprokurorit të ri, se ajo është puna e tij. Investigimet në SHBA janë punë e investigatorëve. Por të frikësuarit në Tiranë nga kjo histori, bëjnë bashkë në mendjen e tyre, atë që ata kanë bërë me atë që mund t’u bëjnë, nëse i zbulojnë dhe janë futur në një alarm të pazakontë.
Kurrë në Shqipëri nuk ka pasur kaq alarm dhe kaq egërsi ndaj zëvendësimit të një kryprokurori. Berisha u ka hequr socialistëve në bashkëpunim me Ilir Metën, Arben Rakipin dhe s’ka ndodhur gjë. Berisha ka hequr Dhori Sollakun kundër vullnetit të socialistëve dhe prap nuk ka ndodhur gjë.
Berisha shkarkoi Ina Ramën, para kohe me urgjencën që kishte nga frika e “Gërdecit”, “21 janarit” dhe hetimeve për Bashën, dhe sërisht nuk ndodhi gjë. Alarmi që ka nisur dhe po vazhdon të trashet lidhur me largimin e Adriatik Llallës dhe ardhjen e një Kryeprokurori të ri, që nuk kalon nga duart e Berishës, është ndoshta momenti më alarmant që politika shqiptare ka pasur që në vitin 1991. Dhe nuk ka me se shpjegohet tjetër, veç pasigurisë që ndjejnë nga zhvillimi i papritur me Kryeprokurorin e përkohshëm, i cili u duket gjëja më jetëgjatë në Shqipëri. Se ndryshe nga ne, që përpiqemi t’i kuptojmë, pse janë kaq të alarmuar, ata e dinë se çfarë kanë bërë.