E pranon edhe Zekiri i LSDM-së: Pa BDI-në nuk ka qeveri



“Shqiptarët në Maqedoni janë fituesit më të mëdhenj të këtyre zgjedhjeve sepse ata i thanë stop Nikolla Gruevskit. Shqiptarët e shpëtuan Maqedoninë në vitin 2001, shqiptarët e shpëtuan edhe tani Maqedoninë me këto zgjedhje.
Është hera e dytë dhe dëshmoi se janë shumë më të pjekur politikisht se dhe vetë maqedonasit dhe e duan këtë shtet shumë më tepër se vetë maqedonasit”, deklaroi deputeti i LSDM-së Muhamed Zekiri.
Pavarësisht dilemave të shumta që ka Maqedonia, sipas tij, një gjë është e sigurt: “Në Maqedoni, Nikolla Gruevski nuk mund të bëjë qeveri dhe ai nuk do jetë më personi nga i cili varen gjërat”.
Duke u ndalur tek koalicionet, Zekiri tregohet realist: “Pa BDI-në nuk bëhen numrat. Nuk mund ta përjashtosh. Nëse e përjashton, atëherë askush nuk mund të bëjë qeveri”.
Zekiri ka kujtuar shqiptarëve kohën kur është implementuar pjesa më e madhe e Marrëveshjes së Ohrit.
“Shqiptarët e Maqedonisë e dinë shumë mirë se kur është implemetuar pjesa më e madhe e Marrëveshjes së Ohrit dhe ajo është periudha 2002-2006, kur në qeveri ishin LSDM dhe BDI dhe LSDM gjerësisht nga maqedonasit dhe VRMO-DPMNE dhe politikën e saj nacionaliste u ndëshkua në zgjedhjet e vitit 2006, shkaku se ka bërë lëshime dhe ka implementuar Marrëveshjen e Ohrit”, u shpreh ai.