Partia Demokratike Turke, do jetë partia e radhës e cila do t’i bashkohet Qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev. Këtë e konfirmoi zëdhnësi i qeverisë Mile Boshnjakovski. Sipas tij kësaj partie do t’i takoj një zv ministër dhe disa drejtori shtetërore. Zëdhënësi i Qeverisë Mile Boshnjakovski, tha se bisedimet po vazhdojnë edhe me partitë tjera politike.
“Për partinë turke, po ka marrëveshje . Ata në një farë mënyre janë pjesë e koalicionit qeveritar. Për të gjitha informacionet e tjera, akoma është herët për të folur. Kryeministri paralajmëroi se ky proces do të zgjasë deri në fund të muajit prill. Kështu që tashmë mbetet të presim dhe të shohim çka do të ndodhë”, tha Mile Boshnjakovski, zëdhënës i Qeverisë.
Lidhur me synimin e PDSH-së për të udhëhequr me ministrinë Ekonomisë, zëdhënësit e qeverisë ishin të përmbajtur. Partia Demokratike Shqiptare, vazhdon edhe sot të këmbëngul se kjo parti do të marr Ministrinë Ekonomisë dhe se bisedimet priten të përfundojnë këto ditë. Nga BDI mohojnë se do t’ia dhurojnë PDSH-së dikasterin e Ekonomisë. Nga selia blu thonë se do të ofrojnë vetëm postin e ministrit pa resor dhe disa drejtori.
Kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, për kalimin e deputetëve nga një parti në një parti tjetër e tha se është jodemokratike dhe se Zaev, siç tha, po i kontrabandon deputetët.
“Edhe tani me shumë shqetësim e ndjekin këtë garë kush i pari të bëhet pjesë e qeverisë dhe kush më mirë ti shërbej kryeministrit. Këtë logjikë fatkeqësisht e them me keq ardhje është logjikë e Nikolla Gruveskit, dhe e instaluar gjatë 10 vjetet të regjimit të tij, i cili mbante të dy partitë shqiptare, si rezervë i mundshëm për tu bërë pjesë e qeverisë, duke ulur pazarin politik jo të dy liderëve, por të shqiptarëve”, u shpreh Ziadin Sela, kryetar i ASH-së.
Për tu bërë pjesë e qeverisë po negociojnë edhe dy krahët e lëvizjes Besa.

